KS i OKB-së paralajmëron sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

07/02/2016 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi ashpër nisjen e një rakete me rreze të gjatë veprimi nga Koreja e Veriut. Pas një takimi urgjent në Nju Jork, Këshilli tha se do të kundërpërgjigjet me një rezolutë për sanskione të reja ndaj vendit komunist.

I dërguari i Venezuelës në OKB, njëherit edhe president aktual i Këshillit, Rafael Ramires, pas takimit me dyer të mbyllura deklaroi se anëtarët e këtij institucioni kanë dënuar ashpër veprimin e fundit të Koresë së Veriut.

“Të gjithë anëtarët pa përjashtim kanë dënuar ashpër nisjen e raketës me rreze të gjatë veprimi. Kjo përbën edhe një shkelje serioze të rezolutës së Këshillit të Sigurimit”, u shpreh Ramirez.

Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Samantha Power, kërkoi nga Këshilli që të ketë dëime më të ashpëra për Korenë e Veriut.

Në të njëjtën linjë ishte edhe përfaqësuesi japonez, Motohide Yoshikawa. “Sanksionet aktuale nuk e kanë ndaluar Korenë e Veriut që të zhvillojë programin e armëve bërthamore”, tha ai.

Mbledhja e Këshillit u ftua nga Koreja Jugore, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat ishin edhe shtetet e para të cilat reaguan pas lëshimit të raketës me rreze të gjatë nga ana e Koresë së Veriut.

Peniani tha se objektivi ishte hedhja e një sateliti në hapësirë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është i bindur se, e gjithë kjo sipërmarrje nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e maskuar për zhvillimin e një rakete balistike me rreze veprimi gati 9 mijë kilometra, e aftë të godasë qytetet e Shteteve të Bashkuara.

Top Channel