Firmat private shkaktojnë dëmtimet, Durrësi pa energji në fundjavë

08/02/2016 10:50

Durrësi ka vuajtur gjatë fundjavës defekte të shumta, pjesa më e madhe e të cilave janë shkaktuar nga firmat private.

Sipas OSHEE-së, si pasojë e këtyre defekteve kanë mbetur pa energji qendra, dhe një pjesë e plazhit të Durrësit. Punonjësit e kompanisë morrën masa emergjente për normalizimin e situatës, ndërkohë që ka marrë masa ligjore edhe ndaj firmave private, të cilat punojnë pa asnjë kriter.

E në fakt, nuk është hera e parë që firma private dëmtojnë linjën e transmetimit të energjisë elektrike, duke lënë pa energji zona të tëra. Rasti flagrant ishte ai në muajin nëntor, ku zona të tëra të Tiranës mbetën për 6 orë pa energji.

OSHEE i ka denoncuar këto raste, të cilat po ndiqen nga prokuroria.

Ndërkaq, tjetër problematikë e hasur është ajo e dëmtimit të sahatëve nga vetë abonentët. Një ditë më parë, OSHEE bëri të ditur se kishte nisur prej disa javësh procesi i vendosjes së 600 sahatëve në Tropojë. Banorët e kësaj zone janë ankuar për faturim aforfe, por në fakt, OSHEE bën të ditur se 400 prej këtyre matësve janë dëmtuar me dashje. Dhe këto janë raste të denoncimit në polici. Për këtë kompania ka marrë masa që faturimi aforfe të mos ekzistojë më në qershor të këtij viti.

Top Channel