Takimi i udhëheqësve, Mustafa e Thaçi: Bashkëpunim; Haradinaj: Duam zgjedhje

08/02/2016 11:40

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka arritur t’i ulë në një tryezë krerët e koalicionit qeveritar, bashkë me njërin nga përfaqësuesit e opozitës, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në takimin që zgjati më shumë se një orë, të pranishëm ishin gjithashtu ambasadori amerikan, Greg Delawie dhe shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, ndërsa pas takimit, Haradinaj tha se ka kërkuar zgjedhje, kurse përfaqësuesit e qeverisë e kanë ftuar për bashkëpunim në institucione.

“Kam kërkuar që të shpërndahet menjëherë Parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu, kam kërkuar që Presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Shpresoj që këta, që janë vendimmarrës ose që ishin të pranishëm, do të reflektojnë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

“Çështja e Asociacionit është një çështje, për të cilën Gjykata Kushtetuese e ka dhënë mendimin e saj. Asociacioni duhet të themelohet vetëm në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Dera është e hapur që, së bashku me opozitën, këtë ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë”, tha Isa Mustafa, kryeministër.

“Duke qenë se për zotin Haradinaj nuk përbënin shqetësim as Asociacioni dhe as demarkacioni, ne kemi propozuar që, së paku Aleanca (AAK) të marrë pjesë në komisionet e përbashkëta për shkruarjen e statutit të këtij Asociacioni bashkërisht, që do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Në të njëjtën kohë, të marrë pjesë edhe në një komision kombëtar dhe ndërkombëtar, që do të formohet nga Presidentja e vendit për demarkacionin”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër.

Në këtë takim nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, me arsyetimin se Presidentja nuk ka plotësuar kërkesat e opozitës.

Top Channel