Ligji për emigrantët, Tahiri: Ligji s’ka lidhje me zgjedhjet

08/02/2016 12:25

Një adresë e re në regjistrin e gjendjes civile, për 1.5 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë, demokratët shohin dy rreziqe të mëdha për zgjedhjet e 2017.

E para, vendbanimi i ri jashtë sipas opozites i crregjistron emigrantët automatikisht nga lista e zgjedhësve, pasi kodi zgjedhor njeh si votues vetem rezidentët në Shqipëri.  
“I heq të drejtën e votës zgjedhësve dhe bëhet shkak për manipulime siç e pamë në këto zgjedhje në Durres dhe Kavajë. Është një minë me fitil të shkurtër për procesin zgjedhor”, ka thënë Bylykbashi.

Por qeveria thotë se ligji ka synim të regullojë jo votën, por regjistrin e qytetarëve.

“Pra, në qoftë se deri më sot për votën e emigrantëve janë bërë fushata, deklarata politike konstante, janë angazhuar energji pafund nga shoqëria civile, partitë politike, e thuajse çdo mazhorancë, ky është projektligji i parë që shtron gurin e themelit për të shkuar deri atje. Që do të thotë: për të shkuar tek vota e emigrantëve, fillimisht duhet të dimë kush, sa dhe ku banojnë emigrantët tanë. Ajo që është në kompetencën tonë e kemi sjellë këtu. Ne duam të regjistrojmë emigrantët. Ne duam të hapim diapazonin e shërbimeve për emigrantët. Ne duam të garantojmë që emigrantët të shërbehen cilësisht, në mënyrë transparente dhe me përgjegjësinë e shtetit”, tha Tahiri.

Të gjithë përfaqësuesit e mazhorancës, që folën, mbrojtën ligjin e qeverisë, duke e parë shqetësimin e opozitës si të panevojshëm.

“Është tërësisht teknik. Nëse do të votojnë apo jo emigrantët, këtë do ta vendosim në komision të reformës zgjedhore”, tha socialisti Bashkim Fino.

 Por opozita i qëndron alarmit se ky ligj ka një prapaskenë që lidhet me skenarë të mundshme manipulimesh për zgjedhjet.

Top Channel