Reforma në drejtësi, Fleckenstein dhe Kukan tur politik në Tiranë

08/02/2016 12:30

Reporterët për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kanë nisur një viz‎itë dyditore në Tiranë. Top-Channel e pyeti zotin Fleckenstein se çfarë synojnë të arrijnë gjatë kësaj vizite.

“Jam këtu së bashku me kolegun Eduard Kukan. Ne duam të marrim një panoramë të zhvillimeve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Deri më tani, përsa i përket kësaj reforme jemi të kënaqur”, deklaroi Fleckenstein.

Pasditen e sotme ata do të takohen me kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Meta, nga ku do të japin një prononcim për median; dhe më pas me kreun e komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Ndërkohë, në Partinë Demokratrike ata pritet të takohen me kryetarin Lulzim Basha, deputetin Eduard Halimi dhe ekspertin e reformës në drejtësi, Enkelejd Alibeaj.

“Së bashku na duhet të punojmë me Komisionin e Venecias. Patjetër, pjesë e bisedimeve do të jetë edhe dekriminalizimi. Ndërsa për Byronë Kombëtare të Hetimit nuk mund t’ju them shumë. Parlamenti duhet të vendosë se si ta trajtojë këtë çështje. Fillimisht më duhet të dëgjoj”, tha më tej Fleckenstein.

Reporterët, përpara nisjes së takimeve me politikanët shqiptarë, u informuan nga shefja e misionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin për zhvillimet më të fundit. Por, takimi që mbeti në mister ishte ai në të njëjtën godinë, vetëm disa kate më poshtë, me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ndërkombëtarët kohët e fundit, përfshirë edhe ambasadorin Donald Lu, kanë shpeshtuar kontaktet me ish-kreun e PD dhe zërin më aktiv të opozitës në Parlament.

Pavarësisht se takimi Kukan-Berisha nuk u shoqërua as me foto e as me njoftim zyrtar, duket se ai nuk ka bërë përjashtim nga axhenda e dy europarlamentarëve për të bindur të gjithë faktorët brenda PD për të votuar e çuar përpara reformën në drejtësi.

“Do të kemi diskutime të ndrysme me parlamentarë dhe partitë politike për të parë se çfarë mund të bëjmë. Do të flasim me të gjithë ata që duan ta zbatojnë këtë reformë”, tha Fleckenstein. 

Top Channel