De Biasi: Bëra sa munda për transferimet e futbollistëve

08/02/2016 13:05

Kualifikimi i përfaqësueses sonë në Finalet e Europianit, nuk arriti të konkretizohet me lëvizjen e lojtarëve shqiptarë në skuadra më të mëdha në merkaton e dimrit, madje një pjesë e tyre kanë preferuar lëvizje në skuadra më të vogla në kategori inferiore, për të fituar minutat që do t’i shërbejnë për të qenë në formën ideale për në muajin qershor.

Në një intervistë për Top Channel trajneri i përfaqësueses, Gianni de Biasi nuk shprehet i habitur për lëvizjet jo të bujshme dhe situatën jo të mirë edhe pse përpiqet të gjejë aspektin pozitiv të këtij problemi.

Intervista e plotë

TCH: Sapo mbaroi merkatoja e janarit. Si ka qenë për lojtarët tanë?

De Biasi: Mendoj se merkatoja ka qenë e mirë, sepse disa lojtarë që nuk gjenin hapësirë në skuadrat e tyre, mundën të shkojnë në realitete të tjera, edhe disa prej tyre ende nuk po luajnë. Besoj se për pikëpamjen e Europianit, është zgjidhje e mirë.

TCH: Është edhe problemi i disa lojtarëve që nuk luajnë, edhe disa lojtarë të formacionit tonë. Si e shihni këtë situatë?

De Biasi: Mendoj se problemi kryesor është për të parë zviceranët, se kush do të luajë e kush jo. Ata që kanë shkuar në skuadrat e reja, të përpiqemi të kuptojmë nëse do të gjejnë hapësirë, dhe se si. Edhe për ata që kanë ndryshuar sepse nuk kishin një skuadër. Ajeti, që po luante, dje nuk luajti sepse pati një problem të vogël të pafat. Por, mendoj se do të kthehet të luajë së shpejti, dhe me qëndrueshmëri. Xhimshiti shkoi tek Atalanta. Ai nuk ishte në formë fizikisht. Duhet të bëjë diçka të vogël për t’u kthyer në kushte të mira fizike. Besoj se dhe ai do të gjejë vend. Gashi ka shkuar në Amerikë. Shpresoj të ketë mundësi për lojë të vazhdueshme, gjë që nuk e ka pasur tek Baseli në vitin e fundit.

TCH: Për ekipin e Shqipërisë, kjo është periudha më e mirë, sepse shkuam në Europian. Por për lojtarët nuk mund të thuhet e njëjta gjë. E vini re dhe ju këtë?

De Biasi: Nuk është e lehtë. Kemi lojtarë që shumë nuk i njihnin fare. Fatmirësisht, sot, falë punës së kombëtares dhe faktit që u pa nga shumë të tjerë si një sipërmarrje e jashtëzakonshme, shumë klube të tjera janë vënë në lëvizje për të kërkuar informacion e për të kuptuar se çfarë lojtarësh ka kjo skuadër. Them se është motiv shumë i rëndësishëm ky. Ajo që ka më shumë rëndësi për ne, është që vërtet nuk kemi yje në ekip, por kemi një ekip të bashkuar, që lufton për një qëllim të vetëm, të mbajnë larg ngjyrat kuqezi.

TCH: Edhe ti pret diçka më shumë për vete pas kësaj, pas Europianit për lojtarët?

De Biasi: Të them të drejtën, jo. Me aq sa munda, u përpoqa të ndihmoj disa. Sidomos ata që më kërkonin informacione për lojtarët tanë, si disa kolegë italianë që më pyetën për Ajetin, Xhimshitin, edhe Bashën. Edhe pse Basha nuk kishte nevojë, sepse ka qenë në Itali dhe e njihnin mirë. Për këta tre lojtarët e tjerë, u përpoqa të them një fjalë të mirë me tanët. Por është e qartë që mbetet problemi që shqiptari është i huaj, dhe është një nga problemet kryesore. Në kampionatin italian ka probleme vendesh të lira për të huajt. Këto vende zihen nga lojtarët të nivelit më të lartë. Ky është problemi kryesor.

TCH: Është folur shumë për listën e kombëtares për në Francë. Thatë që lista nuk do të ndryshojë shumë, vetëm nëse del ndonjëri të bëjë mrekulli.

De Biasi: Lista për në Francë është ajo që kemi pasur dy vitet e fundit. Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Nëse del ndonjë lojtar që bie në sy e bën gjëra vërtet të jashtëzakonshme, do të merret parasysh me veçanti. Duhet të mos harrojmë që ekipet mbahen mbi ekuilibra që bazohen shumë në përputhshmërinë e karakterit.  Nuk është se fitojnë patjetër skuadrat me lojtarët më të fortë. Skuadrat me lojtarë të fortë fitojnë vetëm nëse kanë një mendje si ekip. Nëse secili luan me mendjen e vet, nuk ndodh asgjë. Vetëm këto janë gjërat që do të më bëjnë të zgjedh diçka ndryshe, jo anët teknike. Kjo është një skuadër që ka kaluar dy vite me kualifikime të mira. Ka pasur rritje dhe meriton të shkojë në Europian. Përsëris që kush do të shfaqë aftësi të mira, do të merret në ekip. Për mua s’është problem. Shoh që për ju është problem i madh. Rrini të qetë, sepse zgjedhjet do t’i bëj unë. Nuk duhet ta shqetësoni mendjen për asnjë gjë.

TCH: Por, lojtari më i përfolur shqiptar…

De Biasi: S’më pëlqen që kur nis me “por”. Megjithatë, vazhdo.

TCH: Më i përfoluri është Rashica. Një talent i ri…. Do ta ketë ndonjë mundësi për të luajtur me kombëtaren?

De Biasi: Dyert janë të hapura. S’është se ia mbyllim derën njeriu. Është pjesë e ekipit të shpresave. Është lojtar interesant, që këtë vit ka shënuar shtatë gola me Vitesse-n. Është një lojtar që e ndjekim me kujdes. I shohim lojtarët dhe kur nuk na i sugjeroni ju. Rrini të qetë.

TCH: I keni dërguar një SMS trajnerin të Leciseter, Ranieri, për fitoren e madhe ndaj Manchester City-t…

De Biasi: Ishte një fitore e madhe, si e jona në Portugali. Ai po bën një kampionat të jashtëzakonshëm me një skuadër, e cila ka një buxhet mjaft të vogël. Ndoshta edhe ai nuk do ta kishte besuar se do të bënte një kampionat të tillë. Është bukur kur sheh që edhe të vegjlit mund të bëjnë gjëra të tilla të mëdha. Kjo është shumë e rëndësishme për futbollin në përgjithësi. Jo gjithmonë paratë bëjnë diferencën. Vardi para dy apo tre sezonesh luante në kategoritë inferiore, ndërsa tani. Për të gjithë ka një mundësi.

TCH: Keni marrë një përgjigje nga Ranieri?

De Biasi: Po, po, më falenderoi.

TCH: Në këtë ndeshje luajti edhe një shqiptar, Celina.

De Biasi: Po e ndoqa debutimin. Ai është një djalë i ri që luan në të djathtë. Mund të them se fakti që e aktivizojnë në një ndeshje aq të komplimentuar na bënë ta kemi më tepër në vëmendje, por gjithashtu është ende i vogël për ne.

TCH: Celina ka luajtur me Kosovën në miqësore…

De Biasi: Ka edhe pasaportë norvegjeze, por kjo nuk është problem pasi ka luajtur me ekipin e parë. Megjithatë është ende herët për të folur për të pasi ishin pak minuta ku u aktivizua.

TCH: Kemi një ndeshje miqësore me Austrinë, tashmë e zyrtarizuar; një tjetër me Kanadanë, nuk e di në është zyrtarizuar edhe kjo. Është folur edhe për Gjermaninë…

De Biasi: Ndeshje me Kanadanë është zyrtare. Për sa i përket asaj me Gjermaninë nuk ka asgjë zyrtare, ishte thjesht një keqkuptim në një intervistë që kisha për mediat italiane. Por, nëse do të luanim me Gjermaninë do të ishte një test i mirë për ne.

TCH: Miqësorja me Austrinë…

De Biasi: Austria është një kundërshtar shumë i fortë për ne, pasi është skuadra e 10-të në klasifikimin e FIFA-s dhe jo rastësisht. Është një skuadër që ka lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha. Ky do të jetë një test i rëndësishëm në prag të Europianit, por na duhet të përballemi me ta sa më mirë, për të mos rrezikuar që të bëjmë një figurë të keqe. Mua nuk më pëlqen të futem në asnjë garë për t’u mundur, as kur luaj si fëmijët kush hedh gurin më larg, jo më në ndeshje futbolli.

TCH: Po ndeshja me Kanadanë, të cilën nuk e njohim shumë?

De Biasi: Kanadaja do të jetë një ndeshje miqësore. Do të gjejmë një ndeshje tjetër, më shumë angazhuese. Por kini parasysh që është kohë përgatitjesh, ndaj mund të bëjmë edhe punë të veçanta për të arritur në europian në gjendjen më të mirë. Kemi lojtarët që vijnë nga një kampionat i gjatë dhe i lodhshëm. Dikush ka luajtur më pak, siç thatë dhe ju. Aq më mirë, se mund të jetë më i freskët për Europianin. Edhe kjo do të jetë një arsye më shumë për të bërë vlerësimet para zgjedhjeve përfundimtare.

TCH: E paska dhe një anë të mirë kur nuk luan.

De Biasi: Në ç’kuptim që nuk luan më?!

TCH: Lojtarët që kanë pak minuta. Janë të freskët.

De Biasi: Po, mund të jetë përparësi. Jo vetëm disavantazh. Nëse është dikush ka ritmin e kampionatit, që ka luajtur pa ndërprerje, do të bëjmë kujdes që të gjejmë intervalin midis fundit të kampionatit dhe fillimit të Europianit, që të rimarrë fuqi e të japë maksimumin.

TCH: Është ndonjëri që të shqetëson më shumë?

De Biasi: Jo, asnjëri. Mendoj se kemi shumë mundësi zgjedhjeje. I vetmi problem është një lojtar që ka qenë nën vëzhgim kohët e fundit, Veseli, pasi ka pasur një problem të vogël. Shpresojmë ta marrë veten që të shohim nëse mund të luajë me ne në mars e pastaj në qershor.

TCH: Në sulm kanë nënshkruar të gjithë. Cikalleshi…

De Biasi: Është shenjë e mirë. Cikalleshi bëri golin e dytë, shumë të bukur. Edhe të parin, me atë gjysmë roveshate. Por më pëlqeu se si u zhvillua aksioni. Armando Sadiku u ndihmua nga një mbrojtje shumë e çorganizuar, por duhet të dalësh para portierit dhe të shënosh. I urova që të dy dhe u dhashë mesazhe. Po e shikojmë me shumë vëmendje. Kampionati zviceran sapo ka nisur, sigurisht. Bëri ndeshjen e parë pas pushimeve të dimrit. Urojmë që të jenë përgatitur mirë, për t’i pasur të freskët kur të jetë ndeshja në Francë.

Top Channel