Fundjava, 38 drejtues mjetesh në pranga

08/02/2016 00:00

Gjatë fundjavës, policia në gjithë vendin ka arrestuar 38 drejtues automjetesh në gjendje të dehur, ose pa leje drejtimi, si dhe ka hequr 104 patenta për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ndalimet janë bërë si pjesë e masave për të rritur sigurinë në vend. Në total janë arrestuar 96 persona, nga të cilët 20 kanë qenë në kërkim, 5 për armëmbajtje pa leje, 12 për krime kundër personit, kundërshtim të Policisë së Shtetit apo dhunë në familje.

Ndërkohë, 11 të tjerë janë ndaluar për drogë dhe krime ekonomike, 10 për vjedhje, ndërtime pa leje e për vjedhje të energjisë elektrike. Gjithashtu janë sekuestruar 3 armë zjarri, municione e tritol.

Janë kontrolluar 55 lokale nate dhe 24 prej tyre janë gjobitur për shkak se janë gjetur persona të parregjistruar, apo nuk kanë dhënë kuponin tatimor.

Policia ka sekuestruar 125 kilogramë hashash në një aksion në Shkodër, ndërsa në Kakavijë është kapur një i ri që vinte nga Greqia me një sasi prej 150 mijë euro të padeklaruara.

Top Channel