NFL, Manning për të ardhmen: Do të ndjek këshillën e trajnerëve

08/02/2016 13:30

Payton Manning është një legjendë në futbollin amerikan. “Quarterback”-u i Denver Broncos fitoi të dielën titullin kampion në National Football League (NFL), i dyti për të në karrierë.

Për shumë persona, sfida me Carolina Panthers u mendua se do të ishte e fundit për Manning, i cili në mars do të festojë 40-vjetorin e tij të lindjes, por ky i fundit nuk e konfirmoi mundësinë e tërheqjes nga ky sport.
 
“Siç e kam thënë edhe më parë, çdokush mund të bëjë analizën e tij. Unë do të ndjek këshillën e trajnerëve të mi dhe në fund do të marr vendimin më të mirë për të gjithë. Tani, ajo që dua të bëj është që të bashkohem me familjen, miqtë dhe disa shokë të skuadrës sime për të festuar këtë fitore”, tha Manning pas përfundimit të ndeshjes.

Peyton Manning vendosi emrin e tij në historinë e NFL-së si lojtari më i vjetër në moshë që luajti në një finale të Super Bowl, ndërsa suksesi me Carolinën ishte fitorja e 200 e tij në karrierë.

Top Channel