Tërmeti në Tajvan, shpëtohen edhe 2 persona

08/02/2016 13:50

Dy persona të tjerë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e një ndërtesë dy ditë pas tërmetit të fuqishëm në qytetin Tainan të Tajvanit.

Zyrtarët thonë se një grua u gjet e shtrirë nën trupin e pajetë të të shoqit, ndërkohë që djali i tyre 2-vjeçar u gjet i pajetë pak më tej. Ndërsa pak minuta më vonë, skuadrat e shpëtimit gjetën të gjallë edhe një burrë.

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit me manjitudë 6.4 ballë, shumica e tyre brenda ndërtesës Ueiguan Jinlong. Më shumë se 100 të tjerë besohet se janë ende të bllokuar brenda saj. Sipas zyrtarëve, 310 persona janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesës deri më tani dhe 100 prej tyre janë dërguar në spital.

Një vajzë 6-muajshe e nxjerrë e gjallë nga rrënojat mësohet se ka humbur jetën pas mbërritjes në spital. Kompleksi 17-katësh i apartamenteve u shemb pas tërmetit të regjistruar pak para orës 4 sipas orës lokale të së shtunës, ndërsa Tajvani sapo kishte filluar festimet për vitin e ri hënor.

Një hetim ka nisur nëse ndërtimi i ndërtesës ka favorizuar kolapsin apo jo. Zyrtarët e emergjencave thanë të hënën se të paktën 527 persona ishin plagosur.

Tajvani gjendet në afërsi të pikës së bashkimit të dy pllakave tektonike dhe shpesh përjeton dridhje toke. Tërmeti nuk e ka pasur epiqendrën në thellësi, çka do të thotë se efektet e tij do të jenë amplifikuar. Ka pasur të paktën edhe pesë dridhje të tjera toke pas asaj kryesores. Tërmeti është ndjerë deri në kryeqytetin tajvanez, Taipei, 300 km larg.

Top Channel