Indi, leopardi sulmon shkollën

08/02/2016 14:05

Një leopard që ka mundur të hyjë në një shkollë në Bangalore të Indisë ka plagosur 6 persona të cilët u përpoqën ta kapnin atë. Një shkencëtar dhe një punonjës pyjesh ishin mes të lënduarve gjatë përpjekjes 10-orëshe për ndaljen e kafshës së rrezikshme.

Sipas një hulumtimi të kohëve të fundit, në Indi jetojnë 12-14 mijë leopardë. Leopardi që hyri në shkollën ndërkombëtare Vibgyor, në përfundim u qetësua dhe u bllokua. Leopardi 8-vjeçar ia doli të hynte brenda shkollës në zonën Kundalahalli. Pamje nga kamerat e sigurisë së shkollës tregonin se si ai sulmoi një burrë në afërsi të pishinës. Një shkencëtar dhe një punonjës i mbrojtjes së pyjeve u përpoqën ta qetësonin kafshën, por u lënduan ndërkohë që pavarësisht injektimit të qetësuesve, kafsha u vu nën kontroll vetëm rreth orës 20.15 minuta.

Sipas zyrtarëve, leopardi ka zbritur nga një pyll jo larg shkollës dhe ka hyrë në ndërtesë. Kafsha e kapur është dërguar në një park kombëtar, ndërsa gjashtë personat e lënduar, mes të cilëve edhe një kameraman i një televizioni, janë trajtuar për lëndime të vogla.

Ka pasur edhe raste të tjera kur leopardë apo kafshë të ngjashme kanë hyrë në zona të populluara dhe zyrtarët kanë paralajmëruar se konfrontime të tilla mund të rriten nëse njerëzit vazhdojnë të dëmtojnë habitatet e kafshëve. Vitin e kaluar, një leopard qëndroi për pesë orë me kokën e bllokuar në një enë metali në një fshat në shtetin e Raxhastanit, në veri të Indisë.

Top Channel