Kritikat ndaj shëndetësisë, Rama: Shkak reforma, ja si ulëm çmimet e shërbimeve

08/02/2016 15:45

Ministria e Shëndetësisë dhe minisrti Beqja janë vënë në fokus të denoncimeve të opozitës dhe të hënën makina e tij u godit me vezë nga disa të rinj, që më pas deklaruan se i përkasin Aleancës Kuqezi.

Por kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook ka publikuar çka e ka quajtur “rezultate të reja dhe kuptimplota të reformës në rrugën drejt shëndetësisë falas”.

Nga data 1 shkurt, thotë Rama, i cili të hënën së bashku me ministrin Beqja inspektuan qendrën mjekësore numër 10 lidhur me ecurinë e check up-it falas, janë miratuar edhe tarifat e reja të vizitave te mjeku specialist dhe të ekzaminimeve të ndryshme shëndetësore për personat që nuk janë të siguruar, por që bëhen pjesë e sistemit të referimit, duke e filluar kontrollin nga mjeku i familjes.

Pas ofrimit të vizitës falas tek mjeku i familjes (nga 1000 lekë që ishte), tashmë thekson Rama edhe kryerja e injeksioneve dhe ndërhyrjeve mikrokirurgjikale janë falas. Rama ka renditur një listë krahasuese të çmimeve sa ishin në të shkuarën dhe sa janë sot, ku për herë të parë mamografia dhe analiza anti-HIV 1+2 kryehen falas.

Tabelë 1

Vizita tek mjeku specialist në poliklinikë, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet universitare, nga 3000 lekë ulet në 500 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet rajonale, nga 2000 lekë ulet në 100 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet e rretheve, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë.

Kryeministri ka publikuar edhe një listë tjetër për tarifat e ekzaminimve që kanë pësuar ulje.

Tabelë 2

Çmimet për kryerjen e biopsive të të gjitha llojeve janë ulur nga 3000 lekë në 500 lekë, ose gjashtëfish.
Tarifat  e ekzaminimeve radiologjike dhe ato imunologjike janë ulur më shumë se pesëfish.
Tarifat për ekzaminimet endoskopike ulen më shumë se dyfish.
Tarifat për analizat laboratorike kliniko-biokimike ulen nga dy deri në shtatëfish.
Tarifat për analizat laboratorike mikrobiologjike ulen nga tre deri në tetëfish.
Tarifat për shërbimin e allergologji-pneumologjisë ulen nga pesë deri në tetëfish.
Tarifat për shërbimin e kardiologjisë ulen nga pesë deri në dhjetëfish, ndërsa ato të shërbimit ORL, ulen nga katër deri në pesëfish.

“Kjo është vendosja e një baze të dhënash për herë të parë, sepse para disa vitesh edhe lopët e delet kishin kartelat e tyre. Kurse këtu gjithçka u zhduk, prandaj do ishte mirë ta bënim për gjithë popullsinë”, deklaroi Rama gjatë vizitës në qendrën mjekësore numër 10.

Top Channel