Pranimi i studentëve, fakultetet përcaktojnë lëndët prioritare në llogaritjen e pikëve

08/02/2016 16:00

Këtë vit, maturantët të cilët do të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet e larta do t’i nënshtrohen kritereve të reja. Formula e përllogaritjes së pikëve për maturantët fitues mbështetet tek mesatarja e tre viteve dhe mesatarja e lëndëve që çdo fakultet ka përzgjedhur.

“Formula është e thjeshtë, 50 për qind i ka mesatarja aritmetike e 3 viteve, 50 të tjera mesatarja e një grupi lëndësh, sipas drejtimit që ka çdo fakultet. Dhe ne kemi përcaktuar fakultetet për të cilët duhen plotësuar këto kritere. Kështu, 15 për qind e ka Ekonomiku, 15 Matematika, 10 Fizika dhe 10 Gjuhët e Huaja”, deklaron rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Kule thotë se matura do të jetë një provim dalës, që mbyll një cikël studimesh. “Provimet e maturës shtetërore nuk kanë peshë të veçantë, ato përfshihen si një provim i thjeshtë. Maturanti ka bërë 3 matematika në 3 vite, bën dhe provimin në maturë shtetërore dhe bëhet mesatarja e 4 notave. Pra, matura ka të njëjtën peshë sikurse çdo notë tjetër që është në dëftesën e maturantëve”, nënvizon Kule.

Universitetet kanë të drejtë të përcaktojnë kuotat e studentëve fitues dhe këtë vit, në Universitetin e Tiranës do të ketë 10% më shumë pranime se një vit më parë. Në muajin korrik do të shpallen fituesit për çdo universitet.

Diplomat shqiptare në Kosovë, javën tjetër publikohet zgjidhja

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka zhvilluar një takim me homologun e saj të Kosovës, për të gjetur një zgjidhje mbi njohjen e diplomave që studentët kosovarë kanë marrë në Shqipëri.

Ministri Arsim Bajrami tha se, javën tjetër pritet të dalë një udhëzim që i hap rrugë njohjes së diplomave që janë lëshuar nga universitetet jopublike e që deri më tani nuk janë njohur.

Top Channel