Ndotja e plazhit të Durrësit, hoteleve u kërkohet të investojnë për rrjetin

08/02/2016 16:45

Durrësi ka një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, por zonat e plazhit nuk lidheshin me të. Për të ulur ndotjen e ujit të detit nga shkarkimet nevojitet një rrjet i ri, puna për të cilin nis javën e ardhshme.

4.2 milionë euro dhënë nga Banka Botërore do shërbejnë për zëvendësimin e rrjetit të amortizuar dytësor e tretësor të kanalizimeve, nga Ura e Dajlanit në Plepa.

Ndërsa në plazhin e madh tradicional të Durrësit do të ndërhyhet për ndërtimin e plotë të kanalizimeve, por problem mbetet zona e Shkëmbit të Kavajës, ku banorët dhe familjet që kanë shtëpi pushimi duhet të paguajnë vetë për të bërë lidhjen me rrjetin kryesor të kanalizimeve.

“Në projektin e zonës së plazhit, nga Ura e Dajlanit tek Plepat, jemi kujdesur që lidhja nga objekti tek sistemi i kanalizimit të bëhet nga firma fituese, në mënyrë që të mos ketë abuzime mes palëve. Gjatë lidhjeve të reja do të jetë detyrim i vetë objektit që të dërgojë tubacionet, ndërsa pjesa tjetër u takon pallateve”, ka deklaruar Gerald Dautaj, përgjegjës i mirëmbajtjes në UKD.

Në këtë zonë, shumica e ndërtimeve funksionojnë ende me gropa septike, të cilat shpesh për të shmangur tarifat e pastrimit të tyre bëjnë shkarkimin në det, kryesisht gjatë orëve të natës.

Por kjo mënyrë po shkatërron biznesin e tyre për shkak se ndotja e madhe në det gjithmonë e më shumë po largon turistët, por edhe pushuesit ditorë nga kjo zonë.

Top Channel