Brazil, “Zika” nuk frenon mbajtjen e karnavaleve të famshme

08/02/2016 00:00

Një nga viruset më të rrezikshme që ka përfshirë Amerikën Latine, nuk e ka ndalur Brazilin për të organizuar traditën e përvitshme të karnavaleve, pavarësisht paralajmërimeve se mushkonja që transmeton “Zikën” është përhapur.

Paradat e karnavaleve të nisura më 5 shkurt do të zgjasin deri në datën 10 të këtij muaji.

Mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e Rio de Janeiros , Sao Paulos, apo qyteteve të tjera braziliane. Të veshur me kostume që përfaqësojnë këtë festë, ata duket se nuk i kanë zbatuar rregullat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyrtarët e së cilës thanë se, nëse udhëtoni drejt vendeve bartëse të virusit, duhet të jeni në pjesën më të madhe të trupit të mbuluar për të shmangur ndonjë pickim të mundshëm të mushkonjave.

Po ashtu, zyrtarët paralajmëruan edhe shmangien e puthjeve me njerëz të panjohur në paradë, çfarë është traditë e karnavaleve braziliane. Duke i shkuar edhe më tej, OBSH kërkoi që njerëzit të mos udhëtojnë drejt Amerikës Latine, për të zvogëluar mundësitë e transmetimit të virusit infektiv edhe jashtë kufijve.

“Zika”, tashmë e shpallur si një emergjencë globale e shëndetësisë, është përhapur në 30 shtete të botës. Javën e kaluar, shkencëtarët nisën të investigonin transmetimin e saj në rrugë seksuale.

Top Channel