Reforma në drejtësi, Kukan dhe Fleckenstein: Optimistë të kujdesshëm

08/02/2016 17:25

Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, ose siç atyre u pëlqen të vetëquhen “miqtë e Shqipërisë”, ende nuk kanë marrë statusin e negociatorëve për reformën në drejtësi, por përfshirja e tyre mund të jetë vetëm çështje kohe.

“Po presim për rekomandimet e Komisionit të Venecias. Më pas, aty nis puna e vërtetë”, shprehet Knut Fleckenstein.

Nëse reforma vonohet, do të vonohen edhe negociatat për anëtarësim. Dhe Eduard Kukan, një europarlamentar me përvojë të gjatë, nuk përdor doreza për ta thënë këtë.

“Në mënyrë që të bëhet hapi tjetër, për të caktuar datën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ne kemi disa pritshmëri nga Shqipëria dhe më e rëndësishmja është materializimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi”, ka thënë eurodeputeti Kukan.

Që kur kjo çështje diskutohet në Shqipëri, nuk ka pasur asnjëherë dakordësi as për formën dhe as për përmbajtjen e reformës. Megjithatë, pas takimit me opozitën, eurodeputetët kanë dëgjuar së pari gatishmërinë e opozitës për dialog politik.

“Për reformën në drejtësi përsërita edhe një herë vullnetin e opozitës për një bashkëpunim të hapur dhe pa kushte me mazhorancën, në frymën e konsensusit politik për të miratuar një reformë në drejtësi, e cila lufton korrupsionin, por pamundëson kapjen politike”, tha kreu i opozitës, Lulsim Basha.

Më pas, këtë gatishmëri, eurodeputetët thanë se e kanë dëgjuar edhe nga Edi Rama dhe Ilir Meta.

“Pas asaj që dëgjova nga udhëheqësit tuaj politikë, po largohem nga Tirana pak më shumë optimist. Shoh një optimizëm të kujdesshëm”, u shpreh Eduard Kukan.

Përforcohet kjo bindje, kur raportuesi i jep përgjigje shumë të shkurtër pyetjes, nëse ka gjetur qëndrim të unifikuar mes Ilir Metës dhe Edi Ramës.

“Po. Krijova përshtypjen se, edhe udhëheqësi i opozitës kërkon vërtet që të gjendet një zgjidhje, për ta përshtatur këtë reformë sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi më tej eurodeputeti Fleckenstein.

Kohët e fundit, faktorët ndërkombëtarë i kanë shpeshtuar takimet me ish-kreun demokrat, i cili orienton edhe qëndrimin e opozitës në Parlament. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kukan të hënën paradite, kur larg kamerave ka takuar Berishën. Por, a ka ish-kryetari një qëndrim ndryshe nga kryetari “de jure” i PD-së?

“Jo zonje, jo. Unë e  kuptoj qëllimin e pyetjes tuaj, por e takova ish-kryeministrin, e dëgjova dhe nxora konkluzionet e mia. Kjo do të thotë që kur disa persona i konsideroj të afërt, do të flas me ta pavarësisht, nëse janë kryeministra apo qytetarë”, thotë Kukan.

Dhe si gjithmonë, në mbrojtje publike të imazhit të ish-kryeministrit, nuk mungon edhe batuta e ish-aleatit të tij.

“Ju lutem mos e shfrytëzoni kohën për të bërë diversion mes meje dhe zotit Rama dhe mes zotit Basha e zotit Berisha”, tha Meta.  
Diversion apo jo, vetëm pas 12 marsit, kur Komisioni i Venecias do të sjellë raportin final për reformën, do të zbulohet nëse optimizmi i kujdesshëm i europarlamentarëve është bazuar vërtet mbi një vullnet real të politikës, apo si të gjithë ndërkombëtarët e tjerë, edhe Knut e Eduard do të ikin kokëulur dhe pa kuptuar përse dështuan sërish në Tiranë.

Top Channel