Kosovë, Delawie e Zhbogar: Të vazhdojë dialogu politik

08/02/2016 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie dhe shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, kanë bërë thirrje për një tjetër takim të krerëve politikë nga pozita dhe opozita, te Presidentja Atifete Jahjaga.

Dy diplomatët perëndimorë, që ishin të pranishëm në cilësinë e vëzhguesve në takimin e së hënës, të ftuar nga Jahjaga, janë shprehur optimistë se dialogu i udhëheqësve mund të sjellë marrëveshje për daljen nga kriza politike.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka përshëndetur përmes një reagimi në Tëitter përpjekjen e Jahjagës për zgjidhjen e bllokadës politike, ndërsa ka theksuar se po pret takimin e radhës.

Ndërsa shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, Zhbogar, përmes një reagimi në Facebook ka thënë se, nuk mund të gjenden në një takim të vetëm zgjidhjet për dallime të ndërlikuara politike.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme, që udhëheqësit të vazhdojnë të veprojnë në mënyrën europiane për zgjidhjen e problemeve, përmes dialogut dhe kompromisit, pasi – sipas tij, – nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut.

Edhe kryeparlamentari kosovar, Kadri Veseli, përmes një komunikate për mediat ka vlerësuar tryezën e krerëve politikë, si një hap pozitiv në drejtim të çtensionimit të situatës politike në vend, ndërsa ka inkurajuar vazhdimin e dialogut.

Edhe Presidentja Jahjaga, si mikpritëse e takimit ka vlerësuar se, tryeza ka kaluar në një frymë konstruktive, ndërsa – sipas komunikatës së Presidentes, – udhëheqësit politikë kanë shprehur gatishmëri për të kërkuar zgjidhje të përbashkët për daljen nga kriza.

Top Channel