Bursa greke ka rënë në një prej niveleve më të ulëta të 26 viteve të fundit, indeksi i së cilës ka shkuar në 464,23 pikë. Hera e fundit, kur treguesi kryesor ka regjistruar shifrat më negative, ka qenë më 2 janar 1990, kur vendi kishte monedhë kombëtare dhrahminë.

Ndërkaq, këtë të hënë kanë regjistruar ulje rekord edhe aksionet e 4 bankave kryesore greke: -29,20% “Eurobank”, -27,21% “Banka e Pireut”, -29,06% “Banka Kombëtare e Greqisë” dhe -17,65% “Alphabank”.

Dita e sotme konsiderohet e “hëna e dytë e zezë” brenda 8 muajve të fundit, pas 3 gushtit të vitit të kaluar, kur bursa greke u hap 5 javë pas mbylljes së saj, për shkak të vendosjes së kontrollit të kapitalit dhe mbylljes së bankave greke, ndërsa indeksi pësoi një rënie me -16.54%.

Pranë këtyre niveleve, treguesit e kësaj burse kanë qenë edhe më 5 qershor të 2012-s, kur Greqia ishte pothuasje e paqeverisur në mes të dy proceseve zgjedhore dhe në prag të falimentimit.

Edhe tatëpjetën e sotme, analistët e shpjegojnë me pasigurinë në treg për shkak të përfundimit të vlerësimit aktual të ecurisë së ekonomisë greke, nga ekspertët e huadhënësve si dhe nga skenarët për zgjedhje të parakohshme në vend.

Në fundjavë, ministri i Mbrojtjes, duke komentuar kërkesat e FMN-së si dhe protestat e vazhdueshme të fermerëve, që – sipas tij, – kërkojnë të rrëzojnë qeverinë, ka thënë se, nëse ka kërkesa të paarsyeshme, të cilat nuk mund të pranohen nga populli, grekët do të kenë përsëri të drejtën e fjalës.

Ndërkohë, burime qeveritare përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se është absurde dhe e dëmshme, që vendi të shkojë përsëri drejt kutive të votimeve, kur ka kryer vetëm vitin e kaluar dy herë zgjedhje parlamentare. Përkeqësimi i klimës financiare në vend është shoqëruar edhe me humbjet në bursat kryesore europiane.

Top Channel