Mbyten 27 refugjatë, teksa Merkel viziton Ankaranë për frenimin e tyre

08/02/2016 00:00

Në vizitën e saj zyrtare në Ankara, Kancelarja gjermane Angela Merkel u gjet përballë një tjetër sfide me refugjatët: 27 persona gjetën vdekjen në detin Egje, mes të cilëve 11 fëmijë, pas fundosjes së dy varkave.

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Turqisë janë zotuar të shtojnë përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përfshirjen e NATO-s në frenimin e fluksit të refugjatëve në Europë, ndërkohë që i bënë thirrje Rusisë të bashkohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ka për qëllim mbrojtjen e civilëve në Sirinë e shkatërruar nga lufta.

“Në ditët e fundit, ne nuk jemi thjesht të shokuar, por të tmerruar nga vuajtjet, që u kanë shkaktuar bombardimet njerëzve, veçanërisht bombardimet e Rusisë”, tha Angela Merkel.

Ndërsa kryeministri turk, Ahmet Davutoglu tha se, qyteti sirian i Aleppos “de facto” është “nën rrethim”, duke shtuar se “jemi në prag të një tragjedie të re njerëzore”.

35 mijë njerëz janë shpërngulur ditët e fundit nga ofensiva ushtarake e qeverisë siriane në Aleppo, e cila vazhdon intensivisht drejt kufirit turk. Aty, në pritje, ndodhen sirianët, të cilët përballen me kufirin e mbyllur.

Organizatat turke të ndihmës kanë shpërndarë ushqim dhe tenda për ta, teksa presin prej 3 ditësh në vijën kufitare. Shumica e sirianëve të zhvendosur janë gra dhe fëmijë. Turqia thotë se e ka arritur kapacitetin e saj për të strehuar njerëzit, që largohen çdo ditë e më shumë nga zonat e luftës në Siri.

Nga ana tjetër, blloku europian i ka dhënë Ankarasë një fond prej 3.3 miliardë eurosh, për të ndalur fluksin e refugjatëve të mbërrijnë në kontinentin e vjetër. Për këtë arsye, Turqia është duke u përpjekur të ruajë një balancë ndërmjet ndihmës ndaj këtyre personave, si dhe reduktimit të numrit të refugjatëve.

Top Channel