“Gjadri”, mbyllen hetimet për akuzën e trafikut ajror të drogës

08/02/2016 00:00

Në përfundim të hetimeve gati njëvjeçare, Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi hetimet për dosjen e Gjadrit, pas kallëzimit të deputetes Ermonela Felaj se, nëpërmjet këtij aerodromi, forcat ushtarake kishin trafikuar drogë me avionë sportivë përgjatë muajve Tetor 2012-Shkurt 2013.

Burimet e Top Channel pranë kësaj prokurorie pohuan se, dosja u pezullua pasi gjatë veprimeve hetimore nuk u gjet asnjë e dhënë, që do të provonte dyshimet e diskutuara edhe më herët në komisionin hetimor të ngritur enkas për këtë çështje.

Në dosjen e dorëzuar në atë kohë u depozitua edhe dëshmia e një ish-oficeri të ushtrisë, i cili kishte deklaruar se kishte parë avionë të uleshin në Aerodromin e Gjadrit, nga tetori 2012 deri në shkurt 2013.

Gjatë hetimeve, Prokuroria kërkoi të dhëna edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Lezhës, si dhe nga Ministria e Mbrojtjes, e në përfundim të dhjetëra personave të pyetur, prokurorët mendojnë se nuk u gjend asnjë element, që do të provonte këto dyshime.

Top Channel