“Shqipëria tjetër”, si po shkatërrohet qyteti i lashtë ilir

08/02/2016 00:00

Ai është një aks më shumë sesa i frikshëm dhe lidh Tepelenën me Sevasterin e Vlorës. Kah tij, fshatra të shumtë, që duken më shumë se të izoluara.

“Këtë të hënë kemi udhëtuar në zbulim të një monumenti të rëndësishëm. Një qendre të fortifikuar ilire, e cila daton që në shekullin e V-të para Krishtit”.

Orientimi është më shumë se i vështirë, sepse tabela nuk ka. 29 kilometrat nga qyteti i Tepelenës përshkohen në jo më pak se 1 orë e 30 minuta, sigurisht me shpresën se nuk do të jesh ngatërruar dikund.

Ashtu siç rruga, edhe gjetja e qendrës sonë antike është një rebus i vështirë. Kjo, sepse edhe këtu s’ka asgjë, që të tregojë se kemi të bëjmë me një monument kulture të kategorisë së parë, shpallur i tillë që në vitin 1963.

“Edhe pse u ka mbijetuar shekujve, kalaja e Matohasanajt mesa duket nuk ka mundur të shkëputet nga fati i njëjtë, që kanë pasur shumë monumente historike në Shqipëri, të cilat janë thuajse të panjohura, ose një pjesë tjetër nuk njihen më larg se zonat ku ndodhen”.

Të dhënat për këtë vend janë të pakëta. Duhet gërmuar për të gjetur sa më shumë elementë historikë. Në revistën “Iliria” të vitit 1984, arkeologët Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj përmendin edhe këtë kala, duke e cilësuar si një vendbanim antik të fortifikuar dhe pjesë e bashkësisë fisnore të Amantëve.

Së bashku me kalanë e Hajdërave, Cerjes, Kaninës dhe qytetit të Olimpes, ajo ishte pjesë e sistemit mbrojtës të këtij koinomi, apo bashkësie siç njihet ndryshe. Në botimin “Monumentet”, të vitit 1975, Neritan Ceka thekson se kjo kala ka një shtrirje prej 3 hektarësh dhe përbëhet nga sheshe të përshtatshme për banim. Gjeografikisht ndodhet rreth 14 kilometra në Lindje të Amantias dhe shërbente për të kontrolluar hyrjen lindore për në territorin Amant. Prej saj kontrollohej rruga natyrore, që vinte nga Amantia, për të vazhduar drejt Epirit.

Matohasanaj i përket shekullit të V-të para Krishtit dhe është ndërtuar njëkohësisht me Amantian. Por ka edhe arkeologë, që mendojnë se ajo është shumë më e hershme, me rrënjët që i shkojnë ndoshta edhe në shekujt VIII-VII para Krishtit, që në periudhën e hekurit. Ka mure kuadratike, trapezoidalë dhe blloqe ciklopike që dallohen kudo. Sigurisht punimi nuk është i njëjtë në të gjithë pjesët e qytetit, kjo sepse ai ka pasur disa rindërtime, ose më saktësisht 3 periudha, por ajo që bie në sy është saktësia dhe mjeshtëria me të cilat janë punuar.

“Nuk ka sesi të mos ndiesh keqardhje, kur shikon monumente të tilla të lëna në mëshirë të fatit. Nga njëri krah këto mure, të punuara mjeshtërisht dikur në Antikitet, e që ruajnë madhështinë e tyre edhe sot. E nga krahu tjetër, shkatërrimi që preket kudo, në të gjithë territorin e kësaj qendre antike. E në raste të tilla, një pyetje vjen natyrshëm: a kanë dijeni organet përkatëse, organet përgjegjëse, për këto simbole të historisë, apo për to janë thjesht pjesë e arkivave të së shkuarës?”.

Shumë pjesë janë rrëzuar, të tjera janë mbuluar nga erozioni i pandalur apo bimësia, që ka zaptuar gjithçka. Kudo dallohen gjurmë gurësh, që sot janë gjunjëzuar. Askush nuk di të thotë se, kur janë bërë ndërhyrjet e fundit restauruese në këtë vend. Prej mëse 25 vitesh, për të askush nuk është kujdesur.

“Nëse dikush këtu mendon se vizitorë nuk ka, gabon. Sigurisht nuk janë ata tradicionalët me aparate fotografikë, apo ata që vijnë për të soditur një monument të tillë. Por janë ata, të babëziturit, ata që u janë turrur vendeve të tilla për t’i gërmuar, për t’i shkatërruar, për të nxjerrë nga nëntoka ç’të mundin, e më pas për t’i pronësuar. Në të gjithë hapësirën e këtij fortifikimi ilir mund të shikohen gjurmë shkatërrimi, të cilat janë vërtet të dhimbshme”.

Ka mjaft njerëz, që tregojnë se këtu, abuzues të ndryshëm kanë gjetur mjaft objekte me vlerë. Sigurisht asnjë prej tyre nuk dëshiron të flasë. Sot nuk dihet se ku kanë përfunduar këto objekte, ndoshta siç ka ndodhur e ndodh shpesh, ato janë trafikuar diku jashtë vendit, por edhe këtu, ku koleksionuesit e babëzitur nuk janë të paktë.

“Për të kuptuar sesa shumë ofron ky vendbanim, ju tregojmë edhe një tjetër element të veçantë: një varr antik që – siç tregojnë edhe banorët, – dikur ndoshta i përkiste një prijësi të qendrës, të kalasë së Matohasanajt. Është i së njëjtës formë si varret e tjera, të zbuluara në një qendër tjetër, jo larg prej këtej, Amantias. Për fat të keq, si gjithçka tjetër në këtë vend, edhe ky varr antik po shkatërrohet. Erozioni po e mbulon sërish”.

Një varr ilir i kthyer në kosh mbeturinash. Veç në Shqipëri mund të trajtohet në këtë mënyrë trashëgimia historike e kulturore.

Tej duket fshati Matohasanaj, me shtëpitë e mëdha që flasin për pozitën e lartë dhe traditën, që hershëm kanë pasur banorët e tij. E megjithatë, edhe këtu braktisja ndihet. E të mendosh se, me pak kujdes, jo vetëm ky fshat, por e gjithë lugina e Sinanajt mund të ofronte mundësi të jashtëzakonshme për turizëm historik e kulturor. Por kjo, sigurisht mund të ndodhë vetëm nëse investohet, në radhë të parë në infrastrukturë, e më pas edhe në ruajtjen e objekteve të tilla, të cilat u mbijetuan shekujve për t’u shkatërruar sot.

Top Channel