Bllokohet një skaf në Vlorë, policia: Ngjason me atë që u ndoq nga autoritetet italiane

08/02/2016 00:00

Policia Kufitare Shqiptare ka njoftuar se ka bllokuar një skaf të ngjashëm me atë që është bllokuar nga policia italiane disa ditë më parë ku janë gjendur edhe një gjysmë ton hashashi.

Autoritetet shqiptare konfirmojnë se po vazhdon mbikëqyrja e hapësirës së Adriatikut në të dyja brigjet e tij, si dhe po zhvillohen operacione të koordinuara me autoritetet italiane.

“Gjatë operacionit të përbashkët nga Policia Kufitare e Vlorës dhe ajo e qarkut në brigjet e Vlorës, nga kontrollet e zhvilluara u identifikua një mjet me dokumenta të parregullta i cili u bllokua”, njofton policia.

Ndërkohë vijojnë kontrollet nga Policia Kufitare Durrës, Vlorë, Sarandë, e në të gjithë hapësirën detare si dhe në vendbazimet e mjeteve lundruese.

Të shtunën u sekuestrua gjysmë toni hashash që kërkonte të hynte në brigjet e vendit fqinj përmes një skafi që ka mundur t’i shpëtojë ndjekjes. Operacioni për kapjen e drogës ka qenë i përbashkët mes policisë shqiptare, italiane dhe asaj malazeze.

Top Channel