Si çdo vit në Venecia po festohen karnavalet, si pjesë e një tradite të lashtë që daton prej shekullit të 11-të. Tema për vitin 2016 është “Creatum”, që vjen nga latinishtja duke kërkuar të nxjerrë në pah artin dhe traditat e venedikasve.

Deri ditën e martë vendasit, por edhe turistë nga e gjithë bota, mund të fshehin identitetin e tyre pas maskave të famshme veneciane.

Ndryshe nga karnavalet e Brazilit, njerëzit në Venecia festojnë tërësisht të mbuluar.

Shekuj më parë, ky rit ka lindur për të zbutur tensionet mes klasave, duke lejuar që të varfrit për pak ditë të thyenin ngurtësinë e atëhershme të rendit shoqëror oligarkik të Venecias.

E ndërsa në ditët e sotme kostumi dhe maska shihen si pjesë e një trendi ku të veshur ashtu, njerëzit dalin të dëgjojnë muzikë “live” në sheshin e Shën Markut, të shkojnë në ballot tipike veneciane apo të bëjnë xhiro me gondola.

Këtë vit festa e karnavaleve u mbajt nën masa të rrepta sigurie, pasi për autoritetet maskimi i njerëzve e bënte më të vështirë identifikimin e ndonjë kërcënimi të mundshëm terrorist.

Top Channel