Somali, punonjësit e aeroportit futën bombën në avion

09/02/2016 00:00

Zyrtarë të inteligjencës somaleze thanë se ishin dy punonjës të aeroportit që futën në avion një laptop ku ishte fshehur një bombë e cila shpërtheu duke vrarë një person dhe duke plagosur disa të tjerë.

Në një video të publikuar nga autoritetet somaleze, shfaqen dy punonjës të aeroportit që i dorëzojnë laptopin me bombën të dyshuarit Abdullahi Abdisalam Borleh. Ky i fundit u vra kur bomba shpërtheu dhe hapi një vrimë në trupin e avionit, duke bërë të detyrueshëm një ulje emergjence.

Shërbimet e inteligjencës somaleze thanë se dy punonjësit në video janë arrestuar bashkë me 20 persona të tjerë që dyshohet të kenë lidhje me këtë akt terrorist. Deri tani, sulmi nuk është marrë përsipër nga askush.

Policia lokale tha se bomba ishte vendosur për të hedhur avionin në erë dhe për të vrarë të gjithë njerëzit në bordin e tij, por fatmirësisht diçka nuk funksionoi mirë në mjetin shpërthyes dhe avioni mundi të ulej në Mogadishu.

Shpërthimi i bombës ndodhi në lartësinë 3300 metra, por ekuipazhi, pavarësisht situatës së krijuar, mundi që ta ulte mjetin fluturues duke shpëtuar të gjithë pasagjerët.

Somalia, apo ajo pjesë e vendit që kontrollohet nga qeveria zyrtare po lufton kundër grupit islamist Al Shabab dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë pikërisht kjo organizatë terroriste organizatorja e sulmit ndaj avionit.

Top Channel