Shqiponjat vs. Dronët… “zhvendoset” në Londër

09/02/2016 00:00

Policia Metropolitane e Londrës thotë se po merr në konsideratë përdorimin e shqiponjave për parandalimin e dronëve, në mesin e shqetësimeve se këto mjete të telekomanduara po përdoren gjithnjë e më shumë për të kryer krime.

Në këtë mënyrë, Britania e Madhe do të vihet në gjurmët e Holandës, e cila më herët ka filluar trajnimin e zogjve në këtë drejtim. Dronët, janë përdorur ndërkohë nga forcat e policisë për të fiksuar imazhe të terreneve të vështira, por ka shqetësime në rritje se edhe kriminelët po përdorin teknologjitë e reja.

Në nëntor, Ministria e Drejtësisë tha se një dron i përdorur për të futur kontrabandë karta telefoni dhe drogë, në një burg në Manchester ishte zbuluar nga rojat. Ministria e Drejtësisë ka raportuar të paktën nëntë përpjekje të ngjashme për futjen e dronëve në burgje në Angli dhe Uells, në pesë muajt e parë të 2015-s.

Është paralajmëruar ndërkohë se dronët mund të përdoren edhe nga grupet terroriste ndërkohë që ata shpesh herë kanë paraqitur probleme edhe për fluturimet e linjave.

Shqiponjat ndërkohë do të ndihmonin duke rrëzuar në tokë mjetin fluturues, që ato do ta konsideronin si një pre të tyrin.

Top Channel