Dublin, vritet 50-vjeçari; policia: Hakmarrje për vrasjen e së premtes

09/02/2016 00:00

Një person është vrarë në Dublin, në atë që policia e ka quajtur si një hakmarrje për vrasjen e së premtes në një hotel ku ishte duke u kryer procesi i peshimit të boksierëve për një ndeshje boksi.

Viktima është identifikuar si Eddie Hutch, 50-vjeç, që është vrarë në apartamentin tij në Poplar Row. Nipi i tij, Gary Hutch, u vra në shtator në Spanjë.

Ministri irlandez i Drejtësisë, Frances Fitzgerald deklaroi se policia do të bëjë ç’është e mundur që të ndalojë këtë konflikt, ndërsa vrasjen e fundit e quajti si një shembull tjetër të mizorive të bandave kriminale.

Ndërkohë, republikanët disidentë morën përsipër sulmin e armatosur të së premtes. Organizata “IRA për vazhdimësinë” bëri me dije se do të vazhdojë të kryejë sulme të ngjashme ndaj trafikantëve të drogës dhe kriminelëve.

Objektivi kryesor dhe viktima e sulmit të bandës së vrasësve ishte Dejvid Byrn, 33-vjeç, një personazh shumë i njohur për policinë irlandeze. Sipas mediave vendase, policia prej vitesh tentonte që ta burgoste Byrnin për trafik droge dhe krime të tjera, por nuk kishte pasur sukses në gjetjen e provave.

Pavarësisht pretendimit të kësaj organizate për sulmin, burime nga policia irlandeze thonë se dyshimet kryesore për ngjarjen bien mbi larje hesapesh mes grupeve të trafikut të drogës dhe ashtu duket të jetë në të vërtetë pas vrasjes së fundit.

Top Channel