Sateliti koreano-verior ndodhet në orbitë

09/02/2016 08:50

Sateliti i nisur në hapësirë nga Korea e Veriut ndodhet tashmë në orbitë, por ende nuk dihet nëse funksionon. Kështu ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Vetë Veriu ka njoftuar më herët se objekti është një një satelit komunikimi dhe se nisja e tij në hapësirë ditën e djel ka rezultuar me sukses.

Por ky veprim u kritikua ndërkombëtarisht pasi Koresë së Veriut i ndalohet nga sanksionet e OKB-së të përdorë teknologjinë e raketave balistike. Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se, do të vendosin sanksione të tjera si ndëshkim.

Shtetet e Bashkuara deklaruan të hënën se penalitetet e reja mund të përfshijnë një gamë sanksionesh ekonomike që do ta izolojnë edhe më tej Korenë e Veriut, por gjithashtu do të dërgojnë një sinjal të qartë se, qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar është i palëkundur.

Ndërkohë, administrata amerikane do të ndihmojë Korenë e Jugut që të vendosë një sistem të avancuar anti-raketë sa më shpejt të jetë e mundur, kanë deklaruar zyrtarë të Pentagonit.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes në Seul pretendon se lëshimi i satelitit nga Veriu tregon se fqinji i saj ka raketa me rreze të gjatë deri në 12 mijë kilometra.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse vendi i izoluar ka zhvilluar teknologjinë për të mundësuar rifutjen e një rakete në atmosferë, gjë që do të ishte shumë kritike në rast se do të përdorej si armë.

Peniani insiston se programi i tij hapësinor është tërësisht shkencor, por SHBA, Korea e Jugut dhe aleati i Penianit, Kina, deklarojnë se lëshimi i raketave ka për qëllim zhvillimin e modelit balistik ndërkontinental. Muajin e kaluar, Veriu kreu edhe testin e katërt bërthamor.

Top Channel