Përplasen dy trenë pasagjerësh në Gjermani, 10 të vdekur e 150 të plagosur

09/02/2016 00:00

Dy trenë pasagjerësh janë përplasur në landin gjerman të Bavarisë, me policinë vendase që deklaron se persona të shumtë janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur.

Përplasja ka ndodhur në Bad Aibling, një qytet rreth 60 kilometra në jug-lindje të Mynihut. Një nga trenët doli nga binarët për shkak të përplasjes dhe për pasojë shumë vagonë u kthyen përmbys.

Mediat gjermane raportojnë se përplasja mes dy trenëve ka qenë ballore. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur tashmë shërbimet e emergjencës dhe një grup helikopterësh.

Numri i saktë i viktimave nuk dihet, por për momentin flitet se të vdekurit janë 10 dhe të plagosurit rreth 150 vetë. Edhe shkaqet e përplasjes nuk dihen ende.

Rrugët përreth vendit të ngjarjes janë mbyllur dhe segmenti hekurudhor mes lokaliteteve Holckirhen dhe Rozenhajm është i bllokuar, raportojnë mediat.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel