Gara paraprake për Presidencialet në SHBA, votohet në New Hampshire

09/02/2016 10:40

Qytetarët e New Hampshire u janë drejtuar qendrave të votimeve në zgjedhjet paraprake për garën presidenciale të 2016-s, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Banorët e Dixville votuan të parët. Qyteti i vogël ka vetëm 9 votues.

Në bazë të ligjit të shtetit të New Hampshire, qytetet me popullsi nën 100 banorë mund të aplikojnë për të hedhur votën, sapo akrepat e orës shënojnë mesnatën. Me votat e tyre, në kampin demokrat kryeson senatori i Vermontit, Bernie Sanders, ndërsa në atë republikan John Kasich. Mes votuesve, 4 demokratë zgjodhën zotin Sanders, ndërsa mes republikanëve, dy zgjodhën Donald Trump dhe 3 guvernatorin e Ohios, John Kasich.

Për analistët, gara në kampin republikan është e fraksionuar. Donald Trump po shpreson për një performancë më të mirë se në Iowa, javë e kaluar, ku u mposht nga senatori Ted Cruz.

Në debatin e fundit të fushatës për New Hampshire, e cila konsiderohet si një ditë e rëndësishme për të tërhequr votuesit “gri”, ose të pavendosur, Trump lëshoi një breshëri fyerjesh ndaj rivalëve të tij republikanë, e kryesisht sulmoi senatorin Ted Cruz. Favoriti republikan për New Hampshire, me vulgaritet ofendoi edhe Jeb Bush e Marco Rubion.

Por gara është e egër edhe në kampin demokrat, ku sondazhet këtë herë e nxjerrin përpara senatorin Bernie Sanders, ndaj Hillary Clintonit, e cila triumfoi në Iowa. Ndonëse një shtet i vogël, New Hampshire u jep kandidatëve mundësinë për të avancuar që në fillim.

Gara mes tyre do të zgjasë 6 muaj në çdo shtet të Amerikës. Të dy kandidatët që nominohen nga konventat e dy partive, asaj republikane dhe asaj demokrate, në muajin nëntor do të garojnë për postin e Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel