Varri i Ibrahim Kodrës, debat në komisionin e jashtëm

09/02/2016 12:00

Rivarrimi i Ibrahim Kodrës është bërë objekt replikash mes ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe kolegut të saj socialist Ben Blushi në komisionin e jashtëm.

Protestat e banorëve të Ishmit, Blushi i sheh si shkak te moskomunikimit me ta.

“Ka një përplasje të papërshtatshme. Pse duhet ta bëjmë pis një njeri si Ibrahim Kodra duke u zënë qeveria me autoruitetet lokale”, tha Blushi.

“Ka një reagim nga banorët, që une e cilësoj emocionalisht, por që ne jemi përpjekur t’ua shpjegojmë”, tha ministrja Kumbaro.

Blushi ngriti pikëpyetjen a është Ibrahim Kodra i të njëjtit kalibër si Faik Konica apo vellezërit Frashëri për t’u rivarrosur te kodrat e liqenit, në varrezat memorial ku nderohen figurat e larta të kombit.

“Jo, z. Blushi unë nuk i hyj një vlerësimi barazie. Ky piktor ka bërë një përcjellje të kulturës shqiptare në vite në arenën ndërkombëtare”, tha ministrja Kumbaro.

Rivarrimi i eshtrave të piktorit, sipas ministres Kumbaro nuk kërkon vendim qeverie.

Top Channel