Thohir në Itali për ortakë të rinj tek Interi

09/02/2016 13:40

Situata delikate që po kalon Interi në aspektin sportiv, e sidomos atë financiar sjell në Itali presidentin Tohir.

Indoneziani do të mbërrijë në vendin e Apenineve këtë fundjavë, ku do të qëndrojë për 15 ditë, një qëndrim ky që rezulton më afatgjati që nga momenti që ai mori drejtimin e klubit zikaltër.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “La Gazzetta Dello Sport”, Tohir do të përballet me disa çështje gjatë kësaj periudhe që do të jetë në Itali.

Përveç mbledhjes me bordin drejtues të skuadrës dhe bisedimeve me trajnerin Mancini, Tohir pritet të takojë edhe Massimo Moratin në lidhje me të ardhmen e këtij të fundit në klub.

Në muajin nëntor, Morati mund të shesë kuotën e tij prej 29 përqind të aksioneve dhe për këtë arsye Tohir po kërkon ortakë të rinj. Gjithnjë sipas “La Gazzetta Dello Sport”, Tohir i ka kërkuar Goldman Sachs që të vihet në kërkim të një ortaku në minorancë që të injektojë likuiditet monetar në arkat e klubit.

Zikaltrit janë ende në garë për vendin e tretë që i kalon ata në Ligën e Kampioneve dhe këtë të dielë Interi do të luajë me Fiorentinën në Firenze me Tohir që do të jetë në shkallët e “Artemio Frankit” për të ndjekur këtë sfidë.

Aktualisht Interi po paguan me këste 3-mujore prej 3 milionë eurosh, huanë e marrë në maj të 2014 nëpërmjet Goldman Sachs për rifinancimin e borxhit dhe në 2019 ziklatrit do të shlyejnë kuotën e huasë prej 184 milionë Euro.

Top Channel