Kontrabanda drejt Italisë, mallra false nga Kina përmes Shqipërisë

09/02/2016 14:30

Drejtoria e Zyrës Doganore të Brindizit ilustroi ditët e fundit rezultatet e luftës kundër kontrabandës. Çdo ditë në portin e Brindizit sekuestrohen mallra të falsifikuara të çdo lloji, që kanë zëvendësuar tanimë kontrabandën e cigareve.

Drejtori i Zyrës Doganore bëri të ditur se këto mallra vijnë kryesisht nga Shqipëria, Greqia dhe Bullgaria. Vetëm gjatë muajit të fundit janë sekuestruar dhjetë ngarkesa të tilla.

Bëhet fjalë për mijëra veshje, çanta, lodra e produkte të tjera të prodhuara jo sipas kritereve në fuqi, në Kinë apo vende të tjera.

Vihet re një shtim i mallrave kontrabandë që mbërrijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilave u kërkohet të ngrenë standardet e kontrollit.

Me ndihmën e pajisjeve moderne, specifikoi drejtori i doganës së Brindizit, kemi mundësi të kryejmë veprimtarinë tonë edhe pa penguar fluksin e mjeteve dhe mallrave.

Aktualisht, një bankë të dhënash e lidhur me ndërmarrjet bën të mundur verifikimin në  kohë reale të vërtetësisë e mallit.

Top Channel