Barometri në Kosovë, edhe serbët mendojnë pozitivisht

09/02/2016 00:00

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar barometrin vjetor të perceptimit të publikut për politikën e jashtme, dialogun me Serbinë dhe aleatët e Kosovës. Sipas raportit, 90 përqind e të anketuarve Serbinë e kanë listuar si shtetin më armiqësor ndaj Kosovës.

Ndërsa 94.6 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Shqipërinë si një fqinj miqësor, duke renditur atë si partnerin më të madh të Kosovës në rajon, ndërsa vetëm 2.2 për qind e të anketuarve kanë konsideruar Shqipërinë të jetë si një fqinj armiqësor shkruhet në raport. Kjo është cilësuar si një rritje e lehtë e mendimit pozitiv për Shqipërinë, krahasuar me edicionin e mëparshëm.

Sipas raporti, 71.7 përqind e të anketuarve kanë qëndrim negativ sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa, 55.9 për qind e të anketuarve janë pesimistë në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, duke besuar se situata nuk ka ndryshuar nga para fillimit të dialogut, dhe se marrëdhëniet nuk janë normalizuar. Mbi 90 përqind e të anketuarve kanë vlerësuar se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë aleatet më të mëdha të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa për herë të parë edhe Turqia është perceptuar nga 80 përqind e të anketuarve si një aleat i ri i mundshëm i Kosovës.

Nga ana tjetër, Rusia është konsideruar si një shtet armiqësor nga 86.7 për qind e të anketuarve, pasi të anketuarit vlerësojnë se ky shtet me lidhjet e ngushta që ka me Serbinë po e luftojnë pavarësinë e Kosovës. Raporti i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë është rezultat i intervistimit të 1070 respondentëve në mbarë territorin e Kosovës, prej të cilëve 88.4 përqind shqiptarë, 7.7 përqind serbë dhe 3.9 të anketuarve nga komunitetet tjera jo shumicë.
 

Top Channel