Maqedoni, nis gjyqi kundër grupit të “Kumanovës”. Blindohet gjykata

09/02/2016 00:00

Forca të shumta të policisë maqedonase kanë blinduar ndërtesën e Gjykatës Supreme, në Shkup, ku gjatë paradites së të martës ka filluar procesi gjyqësor kundër pjesëtarëve të grupit të “Kumanovës”.

Për të ndjekur seancën kërkohej leje speciale nga gjykata, ndërsa shumica e familjarëve të të akuzuarve, që kishin udhëtuar nga Kosova, kanë mbetur jashtë saj.

“Kemi bërë kërkesë, por nuk na lejojnë. Ne kemi vëllanë të arrestuar dhe kemi ardhur nga Kosova për ta parë, por nuk na lënë”, thanë disa familjarë.

Të afërmit e të akuzuarve kërkojnë nga efektivët e policisë, që t’i trajtojnë me profesionalizëm të arrestuarit dhe të mos ushtrojnë tortura ndaj tyre.

“Këta njerëz duhet të trajtohen brenda ligjeve, që vlejnë edhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Gani Krasiniqi.

Për sistemin gjyqësor në Maqedoni, ata thonë se është i kontrolluar nga politika, ndaj dhe nuk presin gjykim të drejtë.

“Çfarë drejtësie ka këtu? E kanë marrë vëllain tim edhe pse është i pafajshëm”, thotë Hata Kuçi.

“Nuk mund të pres drejtësi nga një shtet i kriminalizuar”, thotë më tej Gani Krasniqi.

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur akuza për terrorizëm ndaj 29 pjesëtarëve të grupit të “Kumanovës”, pavarësisht se të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Në luftimet e majit të vitit të kaluar humbën jetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Top Channel