Djali që shkruan për ngjarje që do të ndodhin në të ardhmen

09/02/2016 00:00

Jo shumë larg nga Elbasani gjendet fshati Hajdaran. Këtu i kalon ditët 16-vjeçari Alban Boshku, një djalë i apasionuar pas jetës së fshatit dhe natyrës.

Shkollën fillore, i riu e përfundoi po në fshat, e më pas ju drejtuar ciklit të mesëm në Elbasan. Edhe pse ka shumë pasione, leximi zë pjesën më të madhe të kohës.

Çdo ditë ai bën rrugët e fshatit për të shkuar në lëndinën e tij të preferuar, ku i përpin librat si pa kuptuar, sikurse ndjek pasionet për muzikën dhe aktivitetet jashtëshkollore.

Shoqëria dhe mësuesit janë gjithashtu pjesë e rëndësishme për adoleshentin. Ka shumë miq, me të cilët ndan gjërat e përditshme, dhe për momentin as që e ka menduar të heqë dorë nga stili i jetës në fshat.

Familja e tij përbëhet nga 8 anëtarë: gjyshërit, prindërit dhe 3 vëllezër. Është i ndërgjegjshëm se në fshat, pjesa më e madhe e të rinjve kanë emigruar, por djaloshi mendon se emigrimi nuk është gjë e mirë.

Për të, jeta këtu është e qetë, edhe pse me vështirësitë e përditshme. Shpesh bën punë fshati, por pavarësisht kësaj, Albani nuk është si të gjithë të rinjtë e fshatit.

Top Channel