Sateliti në orbitë, Jugu ndërpret punën në kompleksin e përbashkët me Veriun

10/02/2016 00:00

Korea e Jugut njoftoi këtë të mërkurë ndërprerjen e operacioneve në parkun industrial të përbashkët brenda territorit të Veriut, pasi vendi komunist lëshoi për testim një raketë me rreze të gjatë veprimi gjatë fundjavës. Me këtë veprim, Jugu i ndërpret një burim tepër të rëndësishëm të ardhurash fqinjëve veriorë të varfër.

Raketa e lëshuar më 7 shkurt nga Korea e Veriut dërgoi një satelit në orbitë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut e konsideruan këtë veprim si një test për raketat balistike.

Ministri koreanojugor për Bashkim, Hong Yong-pyo, gjatë një konference për shtyp tha se pezullimi i operacioneve në kompleksin industrial Kaesong bëhet me qëllim që, të ardhurat prej tij “të mos përdoren për synimet e Veriut komunist për zhvillimin e programeve të raketave dhe armëve bërthamore”.

Kompleksi në fjalë ndodhet në anën veriore të kufirit mes dy koreve, një kufi thuajse i blinduar, teksa shërben edhe si një ndër të paktët shembuj të bashkëpunimit mes vendeve rivale.

Korea e Jugut ka 124 kompani gjithsej në atë kompleks, shumica e të cilave biznese të vogla dhe të mesme, ku janë të punësuar 54.700 punonjës koreanoveriorë, pagat e të cilëve i jepen një agjencie shtetërore të Koresë së Veriut. Kompleksi gjeneroi rreth 110 miliardë dollarë fitime nga pagat dhe tarifat për Veriun komunist gjatë vitit të kaluar, bëri të ditur Hong.

Pezullimi i punës vjen në një kohë tensionesh të rritura në gadishullin korean, sidomos pas lëshimit të raketës dhe testit të katërt bërthamor të Veriut gjatë muajit të kaluar, gjë që shkaktoi thirrjet nga Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut për të vendosur sanksione edhe më të ashpra kundër vendit të izoluar.

Seuli e ka njoftuar tashmë Penianin mbi planin për pezullimin e operacioneve në Kaesong – shtoi Hong, – duke shtuar se do të merren të gjitha masat e nevojshme për kthimin e sigurtë të shtetasve koreanojugorë të punësuar atje. Sipas tij, dyshohet se Korea e Veriut po përdor fonde të siguruara prej kompleksit në avancimin e mëtejshëm të programit të armëve bërthamore dhe atë të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Ndërkohë, edhe Japonia ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj vendit të izoluar komunist, pas lëshimit të satelitit në orbitë. Sekretari i shefit të kabinetit, Yoshihide Suga bëri të ditur se, në parim do të ndalohet dërgimi i remitancave drejt Veriut. Japonia lehtësoi disa prej sanksioneve ndaj Koresë së Veriut në korrik të vitit 2014 në këmbim të hapjes së hetimeve nga Peniani mbi fatin e japonezëve të rrëmbyer dhe të zhdukur dekada më parë nga agjentët e Veriut, edhe pse shumë pak progres është bërë prej atëherë.

Top Channel