Reduktimi i emetimeve të karbonit, plani “Obama” bllokohet nga Gjykata Supreme

10/02/2016 00:00

Gjykata Supreme e Amerikës i ka dhënë një goditje Presidentit Barack Obama gjatë së martës, duke lënë pezull disa rregulla federale për kufizimin e emetimeve të dioksidit të karbonit, kryesisht nga termocentralet me qymyrguri, që përbën edhe elementin kryesor të strategjisë së administratës së tij për të luftuar ndryshimet klimatike.

Gjykata votoi 5 pro dhe 4 kundër, mbi linjën ideologjike të kërkesës së 27 shteteve dhe kompanive të ndryshme, por edhe grupeve të biznesit, për të bllokuar “Planin për energji të pastër” të administratës “Obama”, një plan që detyron një ndryshim edhe ndaj energjisë së rinovueshme duke mos përdorur lëndë djegëse fosile.

Kjo lëvizje tejet e pazakontë e Drejtësisë amerikane nënkupton që rregullat e reja nuk do të hyjnë në fuqi për sa kohë që beteja ligjore vazhdon mbi ligjshmërinë e tyre.

Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë gjatë orëve të natës së të martës, nga ku u deklarua se nuk ishin dakord me vendimin e gjykatës, por gjithsesi ishin optimistë se vendimi i administratës “Obama” do t’i mbijetonte sfidës ligjore.

“Mbetemi besimplotë se do të triumfojmë me meritë”, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, ku shtohet se Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit do të vazhdojë të punojë me shtetet që dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe se, ajo do të vijojë të ndërmarrë “hapa agresive” për reduktimin e emetimeve të karbonit.

Plani është hartuar për të ulur emetimet e karbinit nga termocentralet amerikane deri në 2030-n me rreth 32 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2005. Ky është mjeti kryesor, me anë të të cilit Shtetet e Bashkuara të mund të përmbushin objektivat e reduktimit të karbonit, për të cilat u angazhua në bisedimet e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike, të zhvilluara në Paris gjatë muajit dhjetor.

Top Channel