IOM: 409 emigrantë të mbytur gjatë vitit 2016 në Mesdhe

10/02/2016 00:00

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) ka bërë të ditur se 409 persona kanë humbur jetët e tyre që prej fillimit të këtij viti, teksa përpiqeshin të kalonin për në Europë përmes detit Mesdhe. Ndërkohë, në 6 javët e para të 2016-s, numri i refugjatëve që kanë mbërritur në Europë është 10-fishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Që prej 1 janarit, IOM ka bërë të ditur se në Europë kanë mbërritur plot 76 mijë njerëz në rrugë detare, gjë që përllogaritet në rreth 2.000 të tillë në ditë.

Mbi 3/4-tat e vdekjeve të sivjetshme kanë ndodhur në itinerarin tepër të shkurtër të Mesdheut lindor, pikërisht mes Turqisë dhe Greqisë, ndërkohë që në të kaluarën numri më i madh i viktimave është shënuar në itinerarin e Mesdheut qendror, atë nga Libia drejt Italisë apo edhe Maltës.

Deklarata e IOM-së vjen vetëm një ditë pasi Rojet Bregdetare të Turqisë njoftuan për vdekjen e 27 emigrantëve, pas përmbysjes së varkës me të cilën udhëtonin në gjirin e Edremit, teksa përpiqeshin të mbërrinin në ishullin grek të Lesbosit.

Vetëm pak ditë më parë, EUROPOL-i njoftoi se, rreth 10 mijë refugjatë të mitur e të pashoqëruar janë zhdukur pasi mbërritën në Europë. Jesper Frovin, koordinator i UNICEF-it thotë se, për shkak të kohës së keqe, trafikantët që transportojnë refugjatët me varka nga Lindja e Mesme drejt Europës i kanë ulur çmimet. Lufta nuk është e vetmja arsye që i nxit refugjatët për t’u larguar nga vendet e tyre, por edhe frika se Europa mund t’i mbyllë përfundimisht dyert.

Top Channel