Francë, dorëhiqet ministri i Jashtëm, Laurent Fabius

10/02/2016 00:00

Pas pjesëmarrjes në mbledhjen e kabinetit qeveritar të së mërkurës, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius u ka komunikuar reporterëve dorëheqjen nga posti i tij qeveritar.

Ministri socialist 69-vjeçar tha ndër të tjera se kjo e sotmja ishte mbledhja e fundit qeveritare ku ai merrte pjesë. Fabius, i cili ka qenë kryeministër i Francës në vitet ’80, është konsideruar gjerësisht si arkitekti i politikës së rreptë të jashtme franceze, nën drejtimin e Presidentit aktual, Francois Hollande.

Përgjatë 3 viteve të kaluara, forcat ushtarake franceze kanë luftuar militantët në Mali, si dhe kanë marrë pjesë në sulmet ajrore kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Fabius ka qenë një zë i fuqishëm dhe kundërshtues i ashpër i Presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Laurent Fabius është vlerësuar gjithashtu edhe për ndihmën e dhënë në arritjen e një marrëveshjeje ambicioze për të frenuar ngrohjen globale, gjatë samitit të Kombeve të Bashkuara të zhvilluar në Paris në nëntor të vitit të kaluar.

Edhe pse ai vet nuk ka deklaruar asgjë mbi arsyen se përse po dorëhiqet, ka raportime që bëjnë të ditur se largimi i pashmangshëm i tij është pjesë e një riformatimi të gjerë të kabinetit qeveritar në Francë.

Presidenti Hollande pritet ta nominojë atë si kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese të Francës, sipas disa raportimeve të mediave vendase. Veç kësaj, nuk dihet ende se kush do ta zëvendësojë atë në postin e ministrit të Jashtëm francez.

Top Channel