Sulmet në shumë fronte në Siri, ja interesat e Rusisë

10/02/2016 00:00

Në një sfond kritikash të shumta për Rusinë, për inkursionin e saj ajror në Aleppo ditët e fundit, “Deutsche Welle” ka bërë një analizë se çfarë interesash ka Kremlini në Siri.

Angela Merkel dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë i dënuan ashpër bombardimet ruse në mbështetje të Bashar al-Assadit, pasi sipas tyre luftimet janë arsyeja kryesore e “zhvendosjes së re masive” të refugjatëve.

Katër janë arsyet, shkruan “Deutsche Welle”. Së pari, Rusia vërtet ka frikën e kërcënimit terrorist. Moska thotë se ISIS është objektivi i sulmeve të tyre dhe aspak luftimi i grupeve opozitare, që janë kundër Assadit.

Së dyti, shkruan media gjermane, ndërhyrja e Rusisë në Siri shkon përtej çështjes së terrorizmit, pasi vendi e konsideron konfliktin si një mundësi të mirë për të dalë sërish në arenën ndërkombëtare, duke demonstruar forcën.

Në vend të tretë, Putin kërkon një fushatë të madhe mediatike. Duke qenë se financimi i fushatës në Siri është shumë i shtrenjtë dhe ka gjeneruar probleme serioze ekonomike në vend, Kremlini, duke shtuar mediatizimin pro sulmeve ajrore, në të njëjtën kohë nxit patriotizmin mes rusëve dhe i shkëput ata nga realiteti i krizës ekonomike.

Së katërti, por jo më pak i rëndësishëm, është fakti që me inkursionet ajrore në Siri, Rusia kërkon të harrohet konflikti i Ukrainës, ku është vet një nga palët ndërluftuese. Në këtë mënyrë, Kremlini indirekt thotë se po bën një të mirë për komunitetin ndërkombëtar, pasi po lufton ISIS, ndaj duhet t’i hiqen edhe sanksionet ekonomike që rëndojnë mbi të.

Top Channel