Durrës, nxënësit rrezikojnë jetën. Rruga, në ndërtim dhe pa sinjalistikë

10/02/2016 00:00

Dhjetëra fëmijë, nxënës të shkollës së Re në Durrës, janë çdo ditë në rrezik për jetën, teksa kalojnë në një nga rrugët në ndërtim, që lidh unazën e qytetit me zonën industriale të Spitallës dhe kampusin universitar.

Në rrugën me një qarkullim të lartë të automjeteve dhe këmbësorëve mungon jo vetëm prania e punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor, por edhe sinjalistika e përkohshme.

Kalimi i rrugës nga fëmijët, jo vetëm në këtë pjesë të rrugës në ndërtim, por edhe te mbikalimi i autostradës, është një problem dhe për Drejtorinë e shkollës 9-vjeçare të ish-Kënetës.

“Kemi marrë porosi nga Drejtoria Arsimore Rajonale të bashkëpunojmë me policinë, në mënyrë që në kohën e lëvizjes së nxënësve të ketë punonjës policie. Por nuk është përgjegjësia ime, që nuk ka asnjë polic në kohën e daljes së nxënësve”, thotë Shkëlqim Ceci, drejtor i shkollës së Re.

Top Channel kontaktoi me Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe Bashkinë e Durrësit, por në të dyja rastet, përgjigjet ishin se rruga është ende në ndërtim dhe se, përgjegjëse për investimin është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Si gjithnjë, përgjegjësia mbetet jetime, ndërsa pasiguria në rrugë e lartë.

Top Channel