8-vjetori i Pavarësisë, qeveri-opozitë me organizime të ndryshme në Prishtinë

10/02/2016 00:00

Për 17 Shkurtin e këtij viti, që shënon 8-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, do të zhvillohen dy organizime të ndryshme në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Në njërën anë qeveria, që ka organizuar gjatë paradites shumë aktivitete, të cilat do të kulmojnë me parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, e në anën tjetër opozita, e cila nuk do të jetë pjesë e festës, por do të protestojë duke nisur nga ora 14 në po të njëjtin shesh, kundër qeverisë aktuale.

“Aktiviteti kryesor do të jetë parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të njësive elitë të Policisë së Kosovës, në sheshin ‘Nënë Tereza’”, tha Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.

Në mënyrë që të shmanget ndonjë incident, qeveria ka vendosur që aktivitetet e saj në sheshin “Nënë Tereza” të përfundojnë në orën 11.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e organizimeve, që përfshijnë dhe zbukurimin e shesheve me simbolet shtetërore të Kosovës.

“Komuna e Prishtinës ka qenë e ftuar si pjesë e këshillit organizativ. Përfaqësuesi i komunës së Prishtinës ka njoftuar se, komuna nuk parasheh ndonjë aktivitet, ashtu sikurse vitin e kaluar fatkeqësisht”, tha më tej Sokol Havolli.

“Jo, nuk kemi parashikuar ndonjë aktivitet, ashtu siç thashë për 17 Shkurtin. Të vetmin paralajmërim që kemi marrë është ai për protestën mbarëpopullore, të cilën e ka paralajmëruar ta zhvillojë opozita”, tha Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës.

Ndaj bojkotit të Komunës së Prishtinës ka reaguar edhe shoqëria civile. Organizata “Iniciativa për Progres”, përmes një komunikate për mediat ka ftuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u ofruar qytetarëve atmosferën festive për nder të 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Top Channel