Francë, ndryshimi i Kushtetutës për terrorizmin kalon pengesën e parë

10/02/2016 17:50

Parlamenti francez miratoi me shumicë votash ndryshimet kushtetuese sa i takon shpalljes së gjendjes së emergjencës, duke kaluar kështu propozimin e bërë pas sulmeve terroriste të nëntorit të kaluar në Paris.

317 ligjvënës të Dhomës së Ulet votuan pro këtyre ndryshimeve kundrejt 199 votave kundër, ndërkohë që 51 të tjerë abstenuan.

Përveç ngritjes së gjendjes së emergjencës në nivelet e Kushtetutës, masat e reja antiterrorizëm parashikojnë gjithashtu edhe heqjen e menjëhershme të shtetësisë për personat e dënuar për terrorizëm.

Pavarësisht shumicës së konsiderueshme të votave në favor, ndryshimet e reja nuk kaluan pa debat. Në Dhomën e Ulët të Parlamentit francez pati përplasje të ashpra mes ligjvënësve mbështetës të ndryshimeve dhe atyre kundër.

Megjithatë, sipas analistëve, vota pro mund të konsiderohet si një fitore për qeverinë franceze dhe presidentin Francois Hollande, që po përballet me kundërshtarë të këtyre ndryshimeve jo vetëm nga radhët e opozitës, por edhe brenda vetë socialistëve.

Njëri prej kundërshtarëve ishte edhe Christian Taubira, ish-ministër i Drejtësisë i cili u dorëhoq nga posti që mbante muajin e shkuar si shenjë proteste.

Por vota në Dhomën e Ulët nuk përkthehet në hyrje në fuqi të këtyre ndryshimeve. Ato duhet të kalojnë edhe një sërë pengesash të tjera. Së pari do të duhet që të marrë edhe mbështetjen e Senatit dhe më pas një shumicë prej dy të tretash në një sesion të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Ulët.

Top Channel