Itali, operacion kundër mafias kataneze; 3 gra në krye të klanit

10/02/2016 19:05

Karabinierët e qytetit të Katanias, në Siçili, kanë ndërmarrë këtë të mërkurë një operacion madhor kundër mafias, duke arrestuar mbi 100 persona.

Sipas agjencive italiane të lajmeve, ushtarakët i kanë dhënë një goditje të fortë klanit Laudani, në radhët e të cilit spikat roli i 3 grave në drejtimin e aferave kriminale, sipas urdhërave të bashkëshortëve në burg.

Sipas burimeve mediatike, të arrestuarit janë gjithësej 109 persona, të ndaluar në Itali dhe jashtë vendit.

Nga hetimet, të drejtuara nga Drejtoria Rajonale e Antimafias, klani ka rezultuar i përfshirë në një seri krimesh, si gjobëvënie ndaj bizneseve, përdorim personash të tjerë për menaxhimin e pasurive, trafik dhe shpërndarje droge, si dhe zotërim të arsenaleve të armëve.

Familja Laudani konsiderohej si një nga organizatat kriminale më të rrezikshme që vepronte në Katania, Siçili, Itali dhe jashtë vendit.

Në vitet ’80 dhe ’90 ajo ishte përfshirë në një seri konfliktesh të armatosura, kryesisht në dëm të klaneve rivale, por edhe ndaj strukturave të policisë, si dhe figurave të biznesit e politikës.

Në operacionin për ndalimin e anëtarëve të saj u angazhuan rreth 500 efektivë të repartit të karabinierëve.

Top Channel