Skënderbeu do të luajë sërish pa tifozë në Korçë

10/02/2016 00:00

Komisioni i Disiplinës e dënoi Skënderbeun me luajtjen e dy ndeshjeve pa tifozë në stadiumin e Korçës për sjelljen e keqe të tifozëve në takimin me Partizanin. Por, ky vendim u apelua nga korçarët, megjithatë Apeli la në fuqi dënimin.

Ndeshja e radhës në stadiumin e Korçës për Skënderbeun do të jetë ndaj Vllaznisë, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku në takimin e parë ekipi i Mirel Josës është mundur 1-0.

Ekziston edhe një mundësi që tifozët korçarë ta ndjekin këtë takim të rëndësishme nga shkallët e stadiumin, pasi gjysma e dënimit mund të shlyhet duke paguar një gjobë. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e Skënderbeut do të vendosin ta paguajnë gjobën apo do ta luajnë ndeshjen ndaj Vllaznisë pa tifozë.

Takimi i radhës në kampionat për ekipin e Mirel Josës do të jetë në transfertë përballë Tërbunit të fundit të klasifikimit këtë të shtunë.

Top Channel