Kupa e Francës, Cana protagonist në fitoren e Nantes

10/02/2016 00:00

Lorik Cana ka udhëhequr skuadrën e tij Nantes, drejt kualifikimit në çerekfinale të Kupës së Francës, pasi fitores 3-4 në fushën e Bordeaux. Miqtë e nisën shumë mirë ndeshjen pasi shënuan të parët në minutën e 6 me Bammou.

Crivelli arrin t’i shmanget Canës dhe barazon në minutën e 22, ndërsa në të 51-n, vendasit kalojnë për herë të parë në avantazh me Biyogo Poko. Nantes barazon 15 minuta më vonë me Sigthorsson duke e çuar rezultatin në 2-2.

Shifrat nuk ndryshojnë në 90 minuta, prandaj skuadrat shkuan në shtesa. Pikërisht këtu nisi edhe drama. Malcom i jep epërsinë Bordeaux në minutën e 98 duke krijuar iluzionin e një kualifikimi, mirëpo këtu luan hynë në lojë eksperienca e Canës.

Në minutën e 115 një skemë e Nantes gjen të papërgatitur skuadrën vendase. Ishte një skemë e ngjashme me golin e Salihit ndaj Norvegjisë para tre vitesh, një goditje dënimi nga e djathta dhe Cana që i shmanget mbrojtësve për të goditur fuqishëm, aq sa portieri nuk e kap dot dhe Audel e ka të lehtë të fusë topin në portë.

Tre minuta më vonë sërish Cana protagonist, kur pas goditjes nga këndi kapiteni i kombëtares i kthen topin me kokë shokut të skuadrës Bedoya që nuk e ka të vështirë për të shënuar dhe për të çuar të tijtë në çerekfinale. Ndërkohë, në këtë ndeshje nuk luajti Ermir Lenjani.

Një biletë për në çerekfinale të Kupës e siguruan edhe PSG që fitoi në shtëpi ndaj Lyon 3-0 falë dopietës së Ibrahimovic dhe një goli të Rabiot. Edhe St. Etienne siguroi kualifikimin pasi mposhti në fushën e saj skuadrën e Troyes 1-2, por edhe në këtë ndeshje u luajtën shtesat. Ashtu siç pritej, edhe Lorient nuk e kishte shumë të vështirë përballë Sarre Union të cilën e mposhti 4-0.

Top Channel