Presidencialet në SHBA, Chris Christie tërhiqet nga gara

11/02/2016 00:00

Republikani Chris Christie vendosi të lërë garën presidenciale, pas rezultatit zhgënjyes në New Hampshire.

Guvernatori i New Jerseyt kishte shpenzuar më shumë parà dhe energji në këtë shtet, sesa në Iowa, e sërish përfundoi i gjashti, gjë që e shtyu të mblidhte stafin e fushatës të mërkurën e të diskutonte vendimin e tërheqjes.

Nga gara është larguar dhe Carly Fiorina, ish-drejtuese e Heëlett-Packard. Vazhdimi i fushatës për Fiorinën, pas një përpjekjeje të çalë në Iowa dhe renditjes në vendin e shtatë në New Hampshire, ishte mbase i pakuptimtë.

Christie ka qenë një figurë jo pa rëndësi, në përpjekjet për nominimin partiak brenda kampit republikan. Performancat e tij në debatet televizive ishin të lavdërueshme, e te më i fundit mori edhe meritën e mbërthimit të Marco Rubios “me shpatulla pas muri”.

Gjatë fushatës, Christie promovoi fort kredencialet e tij të ligjit dhe rendit, duke theksuar se eksperienca si prokuror federal pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, i ka dhënë një përgatitje të rrallë për mbrojtjen e vendit ndaj terroristëve. Një “as nën mëngë” ishte për të, të qenit udhëheqësi republikan i një shteti tradicionalisht demokrat, çfarë sipas guvernatorit të New Jerseyt dëshmonte qartë aftësinë e tij për të bashkëpunuar me të dyja partitë, e për t’i vënë gjërat në lëvizje në Uashington.

Kandidatët e mbetur në garë përgatiten tashmë për fazën tjetër të fushatës, e pjesa më e madhe janë nisur drejt Karolinës së Jugut, ku do të fillojnë pa humbur kohë tubimet elektorale.

Por, ndërsa republikanët luftojnë që të gjejnë mundësi të reja për të ngadalësuar hovin e Donald Trumpit, stafin e Hillary Clintonit vazhdon ta mundojë pyetja: si mundi ish-Sekretarja e Shtetit të humbiste gati 22 pikë përqindjeje përballë 74-vjeçarit socialist, Bernie Sanders?

Rezultatet e paraprakeve të New Hampshire, ku triumfuan dy kandidatë që nuk janë politikanë tradicionalë, lënë të kuptohet se gara për nominim në të dy kampet, ka për të qenë e gjatë dhe e hidhur.

Top Channel