Senati amerikan voton “pro” sanksioneve më të ashpra ndaj Koresë së Veriut

11/02/2016 00:00

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka votuar unanimisht në favor të sanksioneve më të ashpra ndaj Koresë së Veriut, pasi së fundmi ky vend testoi armë bërthamore si dhe lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi.

Drafti synon që të ndëshkojë të gjithë ata që në mënyrë direkte ose indirekte ndihmojnë Penianin në qëllimet e tyre në lidhje me zhvillimin e programit bërthamor.

Në draftin e propozuar në Senat targetohen të gjithë personat ose subjektet që tregtojnë ose financojnë ndonjë program të armëve të shkatërrimit në masë, programin e Koresë së Veriut, pastrimin e parave, trafikun e drogës, shkeljen e të drejtave të njeriut, aktivitetet të cilat cenojnë sigurinë kibernetike të SHBA-ve, etj.

Po ashtu, Senati miratoi edhe një paketë ndihmash prej 50 milionë dollarë për transmetimet radiofonike dhe programet humanitare në Korenë e Veriut.

Para votimit në Senatin amerikan, Koreja e Jugut njoftoi ndërprerjen e operacioneve në parkun industrial të përbashkët brenda territorit të Veriut. Me këtë veprim, Jugu i ndërpreu një burim tepër të rëndësishëm të ardhurash fqinjëve veriorë të varfër.

Koreja e Jugut ka 124 kompani gjithsej në atë kompleks, shumica e të cilave biznese të vogla dhe të mesme, ku janë të punësuar 54.700 punonjës koreano-veriorë, pagat e të cilëve i jepen një agjencie shtetërore të Koresë së Veriut. Kompleksi gjeneroi rreth 110 miliardë dollarë fitime nga pagat dhe tarifat për Veriun komunist gjatë vitit të kaluar.

Top Channel