Pse e gdhenda shqiponjën në Brataj të Vlorës!

11/02/2016 00:00

Ndonëse prej shumë vjetësh në emigrim, Sandër Vallaj nuk e ka harruar asnjëherë vendlindjen. Ai jeton dhe punon që nga viti 1994 në Itali, me sy dhe mendje nga fshati Brataj i Vlorës.

I emocionuar së shumti nga simboli kombëtar i shqiponjës, atij i lindi pak kohë më parë ideja që ta gdhendte atë në një gur.

“Në Brataj vetëm gurët nuk na mungojnë. Këtë gjë mendova teksa ndiqja ndeshjet e Kombëtares dhe emocionohesha pas tyre. Menjëherë sapo e ndava idenë me disa nga bashkfshatarët e mi në Pistoja të Italisë, gjeta mbështetjen e tyre dhe tani kjo punë është duke përfunduar”,- ka thënë ai për programin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channnel”.

I pyetur se pse pikërisht në këtë periudhë, ai ka nënvizuar se kjo është njëfarë dhurate edhe për shqiptarët e Kosovës.

“Donim që ta përfundonim para 17 shkurtit, që përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës, si një dhuratë edhe për ta”.

Gjithë projekti kap vlerën e 5700 eurove, nga të cilat 3000 euro Sandri i ka vënë nga xhepat e tij.

Përmasat e duarve në formë shqiponje janë 36 centimetra. Sandri si ideator, por edhe të tjerët që iu bashkuan idesë së tij, shpresojnë që një ditë, kjo nismë të kthehet në një destinacion nga gjithë shqiptarët që shkojnë drejt Vlorës për pushime.

Top Channel