SHBA, thirrje për armëpushim në Siri; kundërshton Rusia

11/02/2016 10:45

Plani i Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm në Siri është përplasur me kundërshtimin e Rusisë, në prag të bisedimeve që synojnë ringjalljen e negociatave të paqes.

Rusia propozoi më 1 mars një armëpushim, por Amerika është e mendimit se Moska po i jep vetes dhe regjimit sirian tre javë për të shtypur rebelët.

Sipas raportimeve të mediave perëndimore, fuqitë botërore po do të takohen më vonë në Mynih të Gjermanisë për të diskutuar mbi konfliktin sirian.

Bisedimet vijnë në një moment kur në vendin e përfshirë nga lufta janë përkeqësuar tej mase kushtet humanitare.

Rritja e luftimeve në provincën e Alepos ka bërë që të zhvendosen rreth 50 mijë njerëz, ka deklaruar Kryqi i Kuq, due shtuar se rrugët e furnizimit me ndihma për këta banorë janë bllokuar, duke i vendosur ata nën një “presion të madh”.

Ndërkohë, lajme të tjera që citojnë Ministrinë ruse të Mbrojtjes zbulojnë se të mërkurën avionë rusë me 510 ushtarakë në bord mësynë në Siri javën e kaluar.

Rusia deklaron se sulmet e saj ajrore po godasin ata që ajo i quan terroristë, por fuqitë perëndimore pretendojnë se sulmet kanë goditur grupet kryesore të opozitës që po luftojnë kundër qeverisë siriane.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet ndërkohë të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe hapjen e rrugëve për punonjësit humanitarë në Alepo.

Por zyrtarët sirianë kanë deklaruar se për momentin nuk kanë në plan të reduktojnë valën luftarake për të rimarrë qytetin strategjik nën kontroll.

Top Channel