Gjermani, në gjyq ish-gardiani 94-vjeçar i Aushvicit

11/02/2016 11:05

Një ish-gardian nazist i kampit të përqendrimit të Aushvicit do të dalë në gjyq në Gjermani në lidhje me vrasjen e të paktën 170 mijë personave.

Prokurorët deklarojnë se Reinhold Hanning, aktualisht 94 vjeç, dyshohet se ka dërguar të burgosurit hebrenj në dhomat e gazit.

Hanning nga ana e tij ka pranuar se ka qenë gardian i kampit famëkeq, por ka mohuar përfshirjen e tij në vrasjet masive.

Rasti i tij po gjykohet në qytetin Detmold, në atë që ka gjasa të jetë gjyqi i fundit i këtij lloji. Hanning është një nga 4 gardianët nazistë, 3 burra dhe një grua, që pritet të dalin në gjyq në muajt e ardhshëm.

Nazistët vranë rreth 1.1 milion njerëz në Aushvic, shumica e të cilëve hebrenj. 94-vjeçari ka shërbyer atje si një gardian i repartit SS nga viti 1943 deri në 1944, në kohën kur disa qindra mijëra hebrenj hungarezë u shfarrosën.

Të mbijetuarit e kampit të vdekjes të Luftës së Dytë Botërore pritet të dëshmojnë kundër tij. “Oxhaqet nxirrnin zjarr… era e trupave të njerëzve që digjeshin ishte aq e pabesueshme saqë askush nuk e duronte dot”, ka thënë një prej dëshmitarëve, 94-vjeçari Leon Schëarzbaum për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Vitin e kaluar një gjykatë gjermane dënoi Oskar Groening, edhe ky 94 vjeç, me 4 vjet burg për mundësimin e vrasjes së 300 mijë njerëzve në Aushvic.

I njohur ndryshe edhe si “llogaritari i Aushvicit”, Groening ishte edhe njeriu që numëronte paratë që u ishin konfiskuar të burgosurve.

Top Channel